RMV, shtatë gjyqtarë të zgjedhur për kryetarë gjykatash nënshkruan deklarata solemne në Këshillin Gjyqësor
Sot në Këshillin Gjyqësor dhanë deklarata solemne shtatë gjyqtarë si kryetarë të disa Gjykatave Themelore të vendit, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për gjyqtarët nga Gjykata Themelore Civile Shkup – Besnik Avdija, Gjykata Themelore Manastir – Tatjana Petrovska, Gjykata Themelore Negotinë – Biljana Tolova, Gjykata Themelore Kërçovë – Fluturije Dervishi, Gjykata Themelore Kriva Pallankë – Orce Jankovski, Gjykata Themelore Prilep – Jasmina Shishkovska Stojkoviq dhe Gjykata Themelore Shtip – Aco Tasev të cilët së fundi janë zgjedhur kryetarë të këtyre gjykatave.
Disa nga gjyqtarët, gjegjësisht gjyqtaret Jasmina Shishkovska dhe Fluturije Dervishi dhe gjyqtari Besnik Avdija, më parë kanë mbajtur pozitën e u.d kryetarë të gjykatave konkrete.
Kujtojm se Këshilli Gjyqësor sot zgjodhi Gabriela Gajdova, Aleksandra Ristevska, Vesna Dimishkova dhe Osman Shabani për gjyqtarë nga fusha penale në Gjykatën e Apelit-Shkup. Me këtë Këshilli Gjyqësor e pajis Gjykatën e Apelit në Shkup me gjithsej tetë gjyqtarë të rinj, pasi më herët në seancën e sotme zgjodhi edhe katër gjyqtarë nga fusha civile – gjyqtarët Aleksandar Shopov, Irena Kostadinova Angelova, Natalija Doneva dhe Ilir Sulejmani.
Këto janë zgjedhjet e para për gjykatën e shkallës së dytë të zhvilluara në bazë të metodologjisë së zhvilluar sipas Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor.
Gjyqtari i renditur i parë në ranglistën përfundimtare për gjyqtarë nga fusha penale, gjyqtari Llazar Nanev nga Gjykata Themelore Kavadar nuk është zgjedhur gjyqtar i Apelit pasi ka marrë 4 vota “pro” dhe 8 vota “kundër” nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, i cili para disa muajsh ishte në shënjestër të kritikave nga vendi dhe faktori ndërkombëtar për shkak të një sërë skandaleve, do të reformohet me “vetërregullim”, brifojnë në fillim të muajit ntor nga Ministria e Drejtësisë , të cilët kishin paralajmëruar formimin e Grupit Punues i cili do të identifikojë zbrazëtirat ligjore, të cilat keqpërdoren nga anëtarët e Këshillit.
Komisioni Evropian publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në vend është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.