Filipçe: Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë nuk do ta rrezikojë identitetin maqedonas, qytetarët duhet ta dinë këtë
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe vlerëson se a do t’i vazhdojmë bisedimet me Bashkimin Evropian varet vetëm nga pushteti, i cili siç thotë, dukshëm nuk e do këtë. Mbetet në qëndrimin se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë në kurrfarë mënyre nuk do ta rrezikojë identitetin maqedonas, raporton MIA.
“Nëse do t’i vazhdojmë negociatat varet nga pushteti, ndërsa pushteti padyshim nuk dëshiron. I frikëson qytetarët që gjuha, identiteti dhe nuk e di se cili përcaktues tjetër i identitetit të popullit maqedonas është i kërcënuar, në mënyrë që të mos ndërmerret hapi që nuk mbart asnjë rrezik, që janë ndryshimet kushtetuese. Kështu që, çështjet dypalëshe me asnjë shtet anëtar të Bashkimit Evropian nuk janë pjesë e kornizës sonë negociuese dhe qytetarët duhet ta dinë këtë, deklaroi Filipçe në përgjigje të pyetjes së gazetarëve para fillimit të kongresit të PRSD-së.
Sipas tij, çështjet dypalëshe zgjidhen në mënyrë dypalëshe dhe kurrsesi nuk mund të ndikojnë ose ta ndalojnë rrugën evropiane, gjegjësisht hapjen dhe mbylljen e klasterëve, ashtu siç e kanë kaluar çdo vend i cili është përfshirë në Bashkimin Evropian.
“Kjo është vetëm një gënjeshtër dhe manipulim tjetër nga kjo qeveri, sepse ata duan të sillen si patriotë, njësoj siç bënë në zgjedhjet e vitit 2014, se janë në vijën e parë të mbrojtjes së interesave kombëtare të vendit, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse duke mos vazhduar rrugën evropiane, kjo qeveri e udhëhequr nga Hristijan Mickoski po rrezikon interesat kombëtare dhe të ardhmen e vendit”, deklaroi Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjen nëse, pas qëndrimeve të fundit të shprehura nga autoritetet në Sofje, LSDM është e sigurt se ndryshimet kushtetuese do të jenë çështja e fundit dhe e vetme që do të ngrihet ose është ngritur nga Bullgaria, por edhe nga Brukseli, dhe nëse atëherë vërtet do të fillojmë dhe përfundojmë negociatat me BE-në, domethënë do të bëhemi anëtar.
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
- LEXO: “Të zgjidhen mosmarrëveshjet me fqinjët”, pritet të porosisë Kosta Maqedoninë gjatë vizitës së dy qershorit
- LEXO: Fitorja e Rumen Radevit sjell stabilitet në Bullgari, por jo zgjidhje për Shkupin
- LEXO: “Maqedonas të veriut”, termi që përdori diplomatja bullgare shkaktoi tensione në Shkup, VMRO dhe LSM me akuza
- LEXO: Maqedonia e Veriut dërgoi demarsh me gojë deri te ambasadori bullgar