Historike, Shkëndija e Haraçinës për herë të parë u kualifikua në Ligën e Parë në Maqedoninë e Veriut
Ekipi nga Shkëndija e Haraçinës, edhe pse pa stadium, arriti të shënon suksesin historik, pasi sot për herë të parë u kualifikua në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.
Në stadiumin e Kavadarit, ata luajtën kundër Pelisterit në balotazhin për kualifikim në Ligën e Parë.
Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, përkundër se Shkëndija e goditi fort nga distanca shtyllën. Në pjesën e dytë, Shkëndija e zhbllokoi rezultatin përmes një solo-aksioni të Nazifit.
Në minutën e 65-të, portieri i Shkëndijës arriti të mbrojë një penalti, duke ruajtur rezultatin, 0:1. Por ky rezultat nuk qëndroi deri në fund, pasi në minutën e fundit, Pelisteri shënoi golin e barazimit në minutën e 98-të, 1:1. Me këtë rezultat u mbyll ndeshja e rregullt, për të vazhduar pastaj direkt në penalti.
Në penalti, Shkëndija e Haraçinës fitoi me rezultat 5:6.
Me këtë fitore, Shkëndija e përmbylli sezonin 2025/2026 me sukses, pasi sivjet për herë të parë arriti në gjysmëfinalen e Kupës së Maqedonisë.
Ndërkohë, në balotazhin tjetër, Skopje arriti të kualifikohet pasi e mundi AP Brerën.
Ndryshe, pas shumë vitesh, ekipet shqiptare nuk do të marrin një trofe brenda një sezoni futbolli, pasi kampion i Ligës së Parë u shpall Vardari, ndërsa Sileksi e fitoi Kupën e Maqedonisë së Veriut.
Në sezonin 2026/2027 në Ligën e Parë do të luajë Shkëndija, Struga, Bashkimi, Arsimi dhe Shkëndija e Haraçinës.