QMK: Janë regjistruar 46 zjarre në hapësira të hapura, shtatë janë aktive, një nën kontroll

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 46 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilave shtatë janë aktive, ndërsa një është nën kontroll, informojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK), transmeton Portalb.mk.

Aktiv është zjarri në lokalitetin “Nad Borovite” me degëzime drejt fshatrave Tatar Elevci dhe Korab dhe Banjishtë në Komunën e Dibrës, ku digjen dëllinja, fier dhe shkurre me gjemba.

Pyje dhe bimësi e ulët digjen pranë fshatit Jabollçishtë në Komunën e Çashkës, ndërsa pranë fshatit Strimë në Komunën e Likovës është përfshirë nga zjarri pyll me pisha dhe bimësi e ulët.

Zjarri është aktiv edhe mbi Liqenin e Bogovinës në Malin Sharr, ku digjen kullota, ndërsa zjarr ka edhe në deponinë “Krasta# në Kumanovë. Dy zjarret e tjera aktive, sipas QMK-së, janë pranë fshatit Dobroveni në Komunën e Novacit dhe ndërmjet fshatrave Belçishtë dhe Leshani në Komunën e Debërcës. Në këto lokacione digjen bimësi e ulët dhe mbetje të thata të kulturave bujqësore.

Nga QMK-ja thonë se nën kontroll është zjarri në Komunën e Studeniçanit, ndërmjet fshatrave Draçevicë dhe Cvetovë, ku digjet bimësi e ulët.

Zjarret e shuara janë në komuna të ndryshme, ku janë djegur bimësi e ulët, mbeturina, mbetje të thata të kulturave bujqësore dhe pyje të përziera.