Tenderi 1.8 milionë euro në MPJ, Bujar Osmani thotë se “nuk e dinte” se Eurovia ishte donatore e BDI-së

Ministri i Punëve të Jashtme – Bujar Osmani thotë se nuk e ka ditur se kompania “Eurovia” është donatore e BDI-së. Kësaj kompanie Ministria me të cilën udhëheq ai i ka dhënë tender prej 1.8 milionë eurove për përshtatjen e sallës “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të Këshillit Ministror të OSBE-së që do të mbahet në Shkup, njofton Portalb.mk.

Këtë informacion Osmani ka thënë se e ka kuptuar nga mediat.

“E di se nuk ju besohet, por besoni se unë nga mediat e kuptova se kompania është donatore. Nuk isha i lumtur kur ma sollën raportin për rangimin, për shkak se i prisja këto reagime dhe asnjëherë nuk do i vendosja njollë ngjarjes më të rëndësishme në historinë e këtij shteti”, tha Osmani.

Kompania “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës është zgjedhur fituese në këtë tender ku kanë aplikuar katër kompani. Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi. Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Për këtë, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) për shkak të rreziqeve të lidhjeve politike, vendosi të hapë lëndë.

Ky rast ka ngjallur reagime të shumta në opinon.

Ministria e Punëve të Jashtme përmes një komunikate tha se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan, dhe se procedura është bërë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Eurovias” përmes një reagimi publik tha se nuk ka asgjë të kundërligjshme në procedurën e tenderit. Ndërkaq hodhi poshtë donacionin ndaj BDI-së.

Ky rast ka nxitur edhe reagim të partive opozitare si Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat kanë akuzuar për korrupsion BDI-në.