Antikorrupsioni do të hapë lëndë për tenderin 1.8 milionë euro të MPJ-së me “Eurovian”

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) për shkak të rreziqeve të lidhjeve politike, vendosi të hapë lëndë në lidhje me kompaninë ndërtimore “Eurovia”, e cila fitoi tenderin e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) prej 1.8 milionë euro për përshtatjen e e sallës “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të Këshillit Ministror të OSBE-së  që do të mbahet në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“KShPK-ja ka konstatuar se në rastin konkret ka elemente për veprim kompetent nga ana e Komisionit nga aspekti i materialitetit, pasi që përfshin shuma të larta, por edhe rreziqe për lidhje politike”, tha kryetarja e KShPK-së, Biljana Ivanovska, transmeton televizioni Tellma.

Kompania “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës është zgjedhur fituese në këtë tender ku kanë aplikuar katër kompani. Drejtori Ekzekutiv i kësaj kompanie është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi.  Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta në opinon.

Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me Bujar Osmanin nga BDI, përmes një komunikate tha se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan, dhe se procedura është bërë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Eurovias” përmes një reagimi publik tha se nuk ka asgjë të kundërligjshme në procedurën e tenderit. Ndërkaq hodhi poshtë donacionin ndaj BDI-së.

Ky rast ka nxitur edhe reagim të partive opozitare si Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat kanë akuzuar për korrupsion BDI-në.