Antikorrupsioni: Tepricën e palejueshme të disa donacioneve, BDI e ka kthyer jashtë afatit ligjor

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka shkelur Ligjin për Financim të Partive Politike pasi që në vitin 2022 ka pranuar donacione më të larta se sa shumat e lejuara me ligj, ndërkaq tepricën e parave në vend që menjëherë ose 15 ditë pas pranimit ta kthejë, partia e ka kthyer në korrik të vitit 2023, konstatoi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni), njofton Portalb.mk.

Në seancën e sotme të 92-të, anëtari i Antikorrupsionit, Shemsi Sallai, informoi se në pajtueshmëri me raportet e Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) është konstatuar se një person fizik i ka dhuruar mjete financiare BDI-së, më shumë se sa është e lejuar me ligj.

“Nga njohuritë që i kemi, kemi iniciuar procedurë për verifikim të pretendimeve dhe e dorëzuam deri te partia politike që të deklarohen në lidhje me të njëjtat. Nga ana e partisë politike na u dërgua raporti vjetor për donacione. U dorëzua dhe vendimi në të cilin theksohet se partia ka miratuar vendim që t’i kthejë ato mjete pasi që ka konstatuar se ka pranuar donacion më të lartë se sa është dashur sipas ligjit. Në vendim thuhet se përveç personit fizik, ata kanë konstatuar se edhe nga dy subjekte juridike kanë marrë shumë më të lartë dhe kanë vendosur që mjetet t’i kthejnë gjatë korrikut të vitit 2023”, tha në seancën e sotme Sallai.

Ai shtoi se Komisioni ka konstatuar se BDI i ka kthyer mjetet e tepruara, por jashtë afatit ligjor.

“Për atë, ne kemi konstatuar shkelje të nenit 16 të Ligjit për Financim të Partive Politike”, shtoi Sallai.

Sipas nenit 16 nga Ligji për Financim të partive politike, në bazë të të cilës thirret Antikorrupsioni, parashikohet që shuma e donacioneve nga personat fizik nuk mund të tejkalojë 30 paga mujore, ndërkaq për personat juridik 60 paga mesatare.

Sipas dispozitave ndëshkuese të ligjit, gjegjësisht nenit 28 parashikohet që partia të gjobitet sipas lartësisë së donacionet të marrë mbi shumën e lejuar, gjegjësisht, t’i kthejë ato para pesë deri në dhjetëfish më shumë.

Ndryshe, në periudhën e kaluar ishte aktuale tema e kompanisë “Eurovia”, e cila e ka fituar tenderin e Ministrisë së Punëve të Jashtme me të cilën udhëheqë Bujar Osmani nga BDI, për kryerjen e punëve për riadaptimin e Sallës Sportive “Boris Trajkovski” ku në dhjetor do të mbahet mbledhja ministrore e OSBE-së.

Me kompaninë “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës udhëheqë drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi.  Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me Bujar Osmanin nga BDI, përmes një komunikate tha se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan, dhe se procedura është bërë në përputhje me dispozitat ligjore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i “Eurovias” përmes një reagimi publik tha se nuk ka asgjë të kundërligjshme në procedurën e tenderit. Ndërkaq hodhi poshtë donacionin ndaj BDI-së.

Ky rast ka nxitur edhe reagim të partive opozitare si Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE-ja të cilat kanë akuzuar për korrupsion BDI-në.

LEXO: Antikorrupsioni do të hapë lëndë për tenderin 1.8 milionë euro të MPJ-së me “Eurovian”

LEXO:Kompania e afërt me BDI-në fitoi tenderin për përshtatjen e sallës  “Boris Trajkovski”, MPJ thotë se zgjodhën ofertën më të lirë