Kompania e afërt me BDI-në fitoi tenderin për përshtatjen e sallës  “Boris Trajkovski”, MPJ thotë se zgjodhën ofertën më të lirë

1.8 milionë euro do të transferohen nga Ministria e Punëve të Jashtme në llogarinë e kompanisë ndërtimore “Eurovia” nga Zhelina e Tetovës, për përshtatjen e qendrës sportive “Boris Trajkovski” për konferencën e ardhshme të Këshillit Ministror të OSBE-së, e cila do të mbahet në Shkup në dhjetor të këtij viti, raportuan disa media, transmeton 360 Gradë.

Kompania, drejtor ekzekutiv i së cilës është Elmedin Ademi – i afërm i ish-ministrit nga radhët e BDI-së, Abdilaqim Ademi, është zgjedhur në mesin e katër kompanive që kanë aplikuar në tender.

Eurovia, sipas raportimeve të mediave, është edhe donatore e BDI-së.

Duke komentuar raportimet në media se ka qenë kompani e afërt me BDI-në që ka fituar prokurimin publik në vlerë prej 1.8 milionë euro, Ministria e Punëve të Jashtme, në krye me Bujar Osmanin nga BDI, ka bërë të ditur sot përmes një komunikate për media se kompania e përzgjedhur ka ofruar çmimin më i ulët nga të gjithë ata që aplikuan.

“Kompania e përzgjedhur kishte ofruar çmimin më të ulët deri tani, e cila arrin diferencë deri në dy herë e gjysmë më të ulët se kompania e renditur e tretë dhe e katërt. Të gjitha institucionet dhe opinioni kanë qasje në procedurën dhe përzgjedhjen që është plotësisht në përputhje me procedurat, ndërsa vendimin e konfirmoi edhe Komisioni i shkallës së dytë. Për punët e planifikuara është lidhur kontratë në shumën kornizë deri në 95 000 000 denarë, e cila do të përdoret sipas nevojave dhe çmimeve individuale të ofruara si më të ulëtat për punët e kryera”, thane nga MPJ.

Në njoftimin e Ministrisë shtohet se procedura është realizuar në përputhje me dispozitat e Ligjit të Prokurimeve Publike, duke i respektuar parimet e ekonomizimit, efikasitetit dhe efektivitetit të përdorimit të mjeteve publike, sigurimin e konkurrencës dhe transparencës si dhe trajtim të barabartë dhe mosdiskriminim të operatorëve ekonomikë në të cilat morën pjesë katër kompani.

Duke theksuar rëndësinë e konferencës, të cilën MPJ e quan “ngjarja më e madhe politike ndërkombëtare që është mbajtur ndonjëherë në vend”, thonë se kjo do të jetë një nga kryesimet me buxhetin më të ulët në historinë e re të OSBE-së dhe do të jetë ndër kryesimet me numër të jashtëzakonshëm aktivitetesh, organizimesh dhe iniciativash të ndërmarra.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se aktivitete të tilla të rëndësishme ndërkombëtare çdo vendi i kushtojnë para dhe kërkojnë ndarje buxhetore. Buxheti ynë për kryesimin me OSBE-në do të jetë më i vogli në krahasim me çdo tjetër në 10 vitet e fundit. Meqë ra fjala, buxheti i Ministrisë është dokument transparent dhe mund të kontrollohet”, përfunduan nga MPJ.