Ese për Hundën e kabiles së leskërkulturës

Thonë se Hunda di dhe ia di shumë fundi i shpinës. Thonë se është kompetent për punët e jetës dhe pasjetës, për historitë e së shkuarës dhe apokalipsat e ardhmërisë, për politikat lokale e globale, për çështjet letrare, filozofike, psikologjike, morale e hajt bir. Thënë shkurt: i bie që Hunda është ekspert i licencuar me të drejtën e pakontestueshme të shitmendjes në shkretishte si kjo jona.

Ka edhe të tillë që thonë se Hunda posedon aftësi të kufizuara intelektuale, talent të vockël mediokriteti. Thonë se është moron, hajdut, pordhavec, lapërdhar, pronar bordellosh, drejtues shtonash të pista informative ku afishohen thashëthemnajat dhe kultivohet fatalizmi brenda shpirtit të gjithë etnisë. Por, kjo nuk e ka penguar kurrë notimin e kungullit mbi moçal, as do ta pengojë ndonjëherë që të kastrabythë fatin tim, tëndin, tonin.

Në rrëmujën aktuale propagandistike, pavarësisht të dhënës se Hunda është organ me ndikim publik, njerëzit kanë shumë lakra brenda kokës dhe nuk ia dalin ta njohin të vërtetën lakuriqe për të. Përvoja i ka bërë dyshues, ndaj nuk e dinë kush është engjëll e kush djall. Jo rastësisht nuk ekziston asnjë personalitet i vdekur a i gjallë, për të cilin të gjithë mileti mendon njësoj. Aq i luhatshëm është bërë gjykimi?!

Në kësi rrethanash, e vërteta lakuriqe kërkon analizimin e një popullacioni të tërë hundësh, që ndoshta do të dëshmonte katërcipërisht se kabilja e leskërkulturës është mercenare, bashibozuke, jeniçere, kombshkatërruese, tepër frikacake dhe e ngarkuar me kompleksin e vlerës së ulët dhe tepër mendjemadhe në raport me të vetit.

Prandaj nuk i marin hundët sa herë u pikin ose ua përtokin të tjerët, kurse, në raport me honorardhënësit, padronët, iblisët… janë pula të lagura, peshq pagojë, huta pa mendim për çfarëdoqoftë, qenie të papersonalitet, ligavecë të padinjitetshëm, malukat pakurrizorë, skraja kafkiane…

Personalisht ndjej keqardhje, sepse të qenit Hundë është jashtë kompetencave të njeriut. Mbase askush nuk dëshiron të jetë butak, por, ç’t’i bësh fatit që për dikë përcakton zvarritjen tutje jetës, e dikë e mallkon të ndihet i huaj brenda lëkurës së vet të natyrshme.

Te merremi vesh: unë nuk kam asgjë kundër Hundës njerëzore, për të cilën thonë se është mëkat të përqeshet. Për Hundën organ nuhatjeje ka shkruar edhe një shkrimtar i madh yni. Ai ka thënë se ne nuk mund ta shtojmë sasinë e hundëve, por mund ta rrisim nivelin e nuhajtjes dhe cilësinë e nuhatjes me Hundën që dispomojmë. Kjo mund të na ndihmojë veçmas në stinë të liga kur rëndomësohet e keqja. Kur duhet ta kuptojmë sa bie sahati?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.