Me koncertin “Parfum” sonte në Tetovë do performojë dy doajenët Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka
Qendra e Kulturës Tetovë, sonte (21 nëntor 2025), në ora 20.00 do të realizojë mega koncertin e titulluar “Parfum”, ku në skenë do të paraqiten dy emra të mëdhenj të botës artistike shqiptare, Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka. Kjo duo do të përcillet nga orkestrina Gent Rushi band nga Tirana. Programi është perceptuar që të ketë muzikë të lehtë shqipe dhe atë napoletane, kështu që në Tetovë do të sjellim një aromë të këndshme vjeshte, shkruan Portalb.mk.
Adrian Trebicka për Portalb.mk tha se për atë është hera e parë që do të paraqitet para publikut tetovar dhe enkas për këtë koncert do të jenë këngë të përzgjedhura.
“Për mua është hera e parë një recital në Tetovë, dhe ndjehem i vlerësuar për ftesën. Do të jenë këngë të përzgjedhura nga repertori shqiptar dhe i yni personal dhe këngë nga fondi i muzikës botërore. Do të jenë duete dhe këngë solo. Për më tepër do doja t’ja lija surprizë natës së koncertit”, tha Trebicka.
Njomza Imeri Ismaili drejtoreshë e Qendrës për Kulturë për Portalb.mk tha se nëntori është muaji kur arti flet, muzika ngre zemrat lart dhe kultura bashkon të gjithë. Qendra për Kulturë i hap festat me dritë, emocion dhe spektakël për çdo dashamirës të artit.
“Qendra për Kulturë shënon festat e Nëntorit me një numër të madh aktivitetesh të llojeve të ndryshme, duke u munduar të japim spektakël për të gjithë kategoritë e publikut. Fillimi do jetë 20 Nëntor ku ora 18:00 do kemi ekspozitën kolektive ” Pa titull”, me shumë artist të ftuar me punime (tema) të ndryshme, ku ftojmë të gjithë artdashësit ta vizitojnë dhe të shohim se çka do na sjellin artistët kësaj rradhe. 21 Nëntori është një mbrëmje spektakolare për publikun tetovar dhe më gjërë, pra koncerti i shumëpritur i Kastriot Tushës dhe Adrian Trebicka nën përcjelljen e orkestrit Gent Rushi Band. Sipas programit që do jepet para publikut do jetë një koncert i paharruar, sepse emrat që do ngjiten në skenë janë artist që shpërthejnë në paraqitjet e tyre duke krijuar një atmosferë të këndshme relaksuese”, tha Imeri Ismaili.
Qendra e Kulturës nga dita e hënë ka nxjerrë në shitje edhe biletat për këtë koncert dhe do të shiten në biletarinë e institucionit me çmim 300 denarë.