Sonte në skenën e Operas dhe Baletit Nacional shfaqet baleti me dy akte “Zonja Bovari”

Sonte më 21 nëntor, duke filluar nga ora 20:00, në skenën e Operas dhe Baletit Nacional do të shfaqet spektakli i baletit “Madam Bovari”, një vepër me dy akte e frymëzuar nga romani i përjetshëm i Gustav Flober. Baleti përshkruan luftën e brendshme të një gruaje midis dëshirës për pasion dhe liri, dhe kufizimeve të normave shoqërore-një temë që mbetet aktuale edhe sot, shkruan Portalb.mk.

Dirigjent i shfaqjes është Eduard Ambarcumjan nga Armenia, përderisa koreografinë e ka realizuar Viktor Ishçuk nga Ukraina, i cili me shprehje të saktë dhe delikate bashkëkohore, e sjell frymën e shekullit 19-të dhe kompleksitetin emocional të personazhit kryesor. Baza muzikore përbëhet nga veprat e Kamij Sen-Sans, Moris Ravell, Zhill Masne, Feliks Mendellson dhe Xhorxh Fridriks Handel, me skenografi dhe kostumografi nga Andrej Zllobin dhe Gana Ipatieva (Ukrainë). Ndriçimi është nga Milço Aleksandrov, mjeshtër-koncerti është Kliment Todoroski, pianisti-Andreja Naunov, ndërsa menaxher projekti është Kiro Pavllov.

Foto nga shfaqja "Madam Bovari". Foto: OBN
Foto nga shfaqja “Madam Bovari”. Foto: OBN

Në rolin kryesor të Ema Bovarit do të performojë primabalerina Maria Kiçevska Shokarovska, në rolin e Çarls Bovari, Francisko Himenez Ruiz dhe Balazh Loçei si Rudolf Bulanzhe, bashkë me solistët, ansamblin e baletit dhe orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional.

“Zonja Bovari” paraqet psikologjinë komplekse të personazhit kryesor nëpërmjet baletit, muzikës dhe artit skenik. Me partituri muzikore të zgjedhura me kujdes dhe koreografi dinamike, shfaqja e përçon betejën e Ema Bovarit mes dëshirave personale dhe kufizimeve shoqërore. Çdo skenë është ndërtuar me kujdes për të theksuar thellësinë emocionale, shkëlqimin vizual dhe qasjen bashkëkohore ndaj tregimit klasik, duke krijuar përvojë skenike të paharrueshme.

Foto nga shfaqja "Madam Bovari". Foto: OBN
Foto nga shfaqja “Madam Bovari”. Foto: OBN