Drita e përjetshme e mirësisë

Fotografia bardhezi, ku është përjetësuar një çast, më trazon dhimbje gërryese dhe kujtime të pafundme. Më rikthen në ishullin e fëmijërisë, që është quajtur “parajsa e humbur”, sepse, në këtë fazë jetësore, botën e përjetojmë ndryshe nga fazat pasardhëse, që na ngarkojnë një barrë të rëndë në shpirt.

Në foto shfaqet nëna me dy gërsheta të lidhura, me trikon me kopsa, këmishën dhe fustanin me lule. Me këtë veshje minimaliste e me sqimë, duket sikur është fotografuar sot dhe jo para më shumë se një gjysmëshekulli. Aty theksohet buzëqeshja e saj e rezervuar, shpirti i mbushur me dhembshuri, sytë me thellësi të mahnitshme, mollëzat pak të dala, vetullat e holla dhe buzët me përpjesëtim ideal.

Sipas fotografit Ted Grant, nëse fotografia me ngjyra pasqyron veshjen e njeriut, ajo bardhezi e zbulon shpirtin e tij…
Kjo foto, që më fut në përmasën e ëndërrimeve, nuk është shkrepur nga ndonjë fotograf profesionist, por ajo e thekson pamjen hirplotë dhe shpirtin e fisëm të nënës, kryefjala e së cilës ishte e thjeshtë: “Mos bëj keq! Mos urre! Mos vidh! Mos u nënshtro! Jeto thjeshtë edhe kur Zoti t’i jep të gjitha të mirat!”.

Ndonëse kam shkruar shumë shkrime për nënën, ndiej se s’kam mundur ta shpreh me fuqi poetike madhështinë dhe çiltërsinë e shpirtit të saj, apo dhimbjen e thellë që la pas ikja e saj në amshim.

Kam shkruar për dhembshurinë e nënës: “Kur sheh dikë tek dënes në vaj, / i lutet Zotit që brengat e tij t’ia japë asaj”.

Por edhe për gjithëpraninë dhe pamundësinë për ta harruar atë. Se nënat nuk largohen kurrë; prejse pushojnë në paqe, bëhen më të pranishme në stinët tona.

Për nënën, këtë dritë të përjetshme të mirësisë, gjejmë vargje dhe epitete edhe në letërsinë tonë popullore, ku ajo quhet “drita e shtëpisë”.

Prej poetëve shqiptarë mund të veçojmë vargjet e Frederik Rreshpjes: “Se nëna e di: Fjalën e parë në botë ia thashë asaj, / Dhe fjalën e fundit në botë do ia them asaj”.

Në poezinë “Letër Nënës” të Sergej Eseninit, të sjellë në shqip nga Ismail Kadare, theksohet dhimbja dhe malli për nënën, nga e cila po shkëpusim dy strofat e fundit:

“Mos mu lut t’i falem Zotit prapë! / Tek e shkuara nuk ka më kthim / Vetëm ti je gazi im i vetëm / Ti e vetmja paqe e shpirtit tim. // Pra ti flaki brengat nëna ime / Mos u trishto për mua përsëri / Dhe mos dil aq shpesh në rrugë / Mbështjell’ me të vjetrin shall të zi.”

Rudyard Kipling-u, në poezinë “Nënë, o nëna ime!”, flet për dashurinë e pakushtëzuar të nënës ndaj të birit dhe anasjelltas:

“Nëse do të më varnin në majë të asaj kodre, / Nënë, o nëna ime! / E di që pas do të më ndiqte veç dashuria jote, / Nënë, o nëna ime! // Nëse do të mbytesha në detin më të thellë, / Nënë, o nëna ime! / Lotët e tu deri n’fund do t’më kishin përcjellë, / Nënë, o nëna ime! // Nëse trup e shpirt një ditë do të m’i mallkonin, / E di se vetëm lutjet e tua do të më shpëtonin, / Nënë, o nëna ime!”

(Përktheu: Ag Apolloni).

Për nënën, e cila krahasohet me engjëllin mbrojtës, janë krijuar simbole, metafora, krahasime dhe epitete të panumërta. Është thënë se ajo është vetë dashuria dhe mirësia; se mbart brenda vetes universin e dashurisë; se është burimi dhe kuptimi i jetës; se është fjala më e bukur në botë. Kush nuk i ka këto virtyte, nuk meriton as të quhet nënë.

Nënat na falin dashuri të pashtershme edhe kur nuk e meritojmë. Krahët e nënës janë gjithmonë të hapur për përqafime. Ato na presin edhe kur bota na ka braktisur. Kuptimi i jetës së tyre janë gëzimi dhe lumturia e fëmijëve. Nënat, siç shkroi Azem Shkreli, “s’na kërkojnë asgjë, pos një grusht dhé mbi krye”.

Sikur bota të udhëhiqej nga dëshirat e nënave, do të ishte një vend i mrekullueshëm për të jetuar…

Poshtëshënim: Në këtë kohë zhurme, mbase mund të pritej që të shkruaja për buçimat e ditës, por vendosa të shkruaja diçka më të rëndësishme: të shkruaja për nënat, krijesat më të dashura në botë, që dinë të shpërndajnë vetëm dashuri e mirësi, pa kërkuar asgjë si kundërvlerë…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.