Normalizimi i së keqes

Vdekja e Ratko Mladiqit nuk ishte lajmi më tronditës i këtyre ditëve. Ai po vuante një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, dhe fundi i jetës së tij ishte vetëm çështje kohe. Shumë më shqetësuese ishte mënyra se si kjo vdekje u prit edhe në Maqedoninë e Veriut: me komente lavdëruese, tone apologjetike dhe një gatishmëri të habitshme për të kujtuar gjeneralin, duke harruar krimet dhe viktimat që e shënuan emrin e tij.

Nën lajmet për vdekjen e tij u shfaqën me dhjetëra komente që flisnin për “gjeneralin”, “heroin”, “njeriun që mbrojti popullin e vet”. Sikur mes uniformës së gjeneralit dhe vdekjes së tij të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur të mos ekzistonte Srebrenica. Sikur të mos ekzistonin mbi tetë mijë burra dhe djem të vrarë. Sikur të mos ekzistonin varrezat masive, familjet që edhe sot kërkojnë mbetjet e të afërmve të tyre dhe sikur të mos ekzistonte një aktgjykim përfundimtar ndërkombëtar për gjenocid.

Ratko Mladiq nuk është një figurë historike për të cilën ende presim që koha të japë verdiktin. Verdiktin e dha gjykata. Ai u dënua për gjenocid në Srebrenicë, për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte, dhe dënimi me burgim të përjetshëm u konfirmua përfundimisht.

Prandaj, kur pas vdekjes së tij nga krimet mbetet vetëm uniforma, nga viktimat vetëm heshtja, ndërsa nga historia krijohet përsëri miti i “gjeneralit që mbrojti popullin e vet”, nuk kemi të bëjmë thjesht me një interpretim tjetër të historisë. Kemi të bëjmë me diçka shumë më të rrezikshme: me përpjekjen për ta kujtuar njeriun pa krimet që ka kryer dhe krimet pa viktimat që kanë lënë pas.

Pikërisht këtu m’u kujtua libri i jashtëzakonshëm i Slavenka Drakuliqit, “Ata nuk do të mbysnin as një mizë”. Pyetja që e përshkon librin është shqetësuese: kush janë njerëzit që kryejnë krime të tmerrshme? Përbindësha krejtësisht të ndryshëm nga ne, apo njerëz që në rrethana të tjera mund të dukeshin krejt të zakonshëm? Drakuliq nuk i humanizon këta kriminelë për t’i shfajësuar. Përkundrazi, ajo ua heq komoditetin që na jep fjala “përbindësh”. Sepse nëse krimet i bëjnë vetëm përbindëshat, atëherë ne të tjerët mund të flemë të qetë. Nëse ato i bëjnë njerëzit, dhe nëse shoqëritë i mbështesin, i tolerojnë ose heshtin, atëherë pyetja bëhet shumë më e pakëndshme.

Por ndoshta ideja më e rëndësishme e Drakuliqit për momentin që po jetojmë sot është tjetër. Ajo insiston në dallimin ndërmjet përgjegjësisë kolektive dhe përgjegjësisë së shoqërisë. Përgjegjësia penale është individuale dhe subjektive. Nuk janë fajtorë të gjithë serbët për krimet e Mladiqit dhe një pretendim i tillë do të ishte moralisht dhe juridikisht i gabuar. Por Drakuliq shtron pyetjen therëse: nëse nuk ka përgjegjësi kolektive, a mund të ketë pafajësi kolektive? A mundet një shoqëri të mos ketë asnjë përgjegjësi për mitet që krijon, për urrejtjen që normalizon, për krimin që arsyeton dhe për heshtjen me të cilën e shoqëron?

Në Maqedoninë e Veriut, glorifikimi i Mladiqit nuk erdhi vetëm nga profile anonime në rrjetet sociale. Mes reagimeve kishte edhe persona dhe struktura të pushtetit. Një parti që është pjesë e koalicionit qeveritar publikoi një tekst lamtumire që e vendoste në plan të parë ushtarin dhe gjeneralin; një drejtor shtetëror e vendosi figurën e tij në një panteon simbolik të “gjeneralëve të ushtrisë qiellore”.

Kjo është veçanërisht serioze sepse neni 407-a i Kodit Penal sanksionon mohimin, minimizimin e rëndë, miratimin dhe arsyetimin publik të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës, veçanërisht kur ato janë vërtetuar me aktgjykim të formës së prerë. Fshirja e një postimi apo kërkimfalja nuk e mbyll vetvetiu çështjen. Në një shtet të së drejtës, vlerësimi nëse ekzistojnë kushtet për përgjegjësi penale u takon institucioneve kompetente të drejtësisë, prokurorisë dhe, përfundimisht, gjykatës; jo pushtetit ekzekutiv.

Srebrenica është pikërisht arsyeja pse këto çështje nuk mund të trajtohen si folklor nacionalist. Gjenocidi nuk fillon me varrezën masive. Gjenocidi fillon shumë më herët: me ndarjen e njerëzve në “ne” dhe “ata”; me bindjen se dhimbja e një kombi ka më shumë vlerë se dhimbja e një kombi tjetër; me gjuhën që e bën viktimën më pak njerëzore; dhe, përfundimisht, me shoqërinë që mësohet të mos shohë.

Tridhjetë e një vjet pas Srebrenicës, është pothuajse e pabesueshme që dikush mund të lexojë emrin Ratko Mladiq dhe të shohë vetëm gjeneralin, shkëputur nga krimi i tij.

Por ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të vazhdojmë të flasim për Srebrenicën. Jo sepse viktimat kanë nevojë që ne t’i shpëtojmë nga harresa, ato janë tashmë pjesë e historisë. Ne kemi nevojë t’i kujtojmë ato që të shpëtojmë veten nga normalizimi i së keqes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.