Hulumtimi: Mes metrikës dhe cilësisë

Një rutinë e qytetarit akademik: kontrolli në google scholar nëse na është shtuar numri i citimeve, krahasimi me vitin e kaluar, nga cilat vende janë hulumtuesit që na janë referuar në punimet a librat e tyre, në cilat gjuhë? Shoqëria informatike, digjitale apo inteligjencës artificiale njerëzimit i ka sjellë shumë benefite por ndërkohë edhe kokëçarje, nga problemet familjare, të sigurisë, deri te çështja e akademisë  ku studimi dhe kërkimi edhe janë avancuar por ndërkohë edhe janë shpërfytyruar dhe banalizuar. Të dhënat i kemi në dorë, tash dhe këtu, në çast, por edhe mundësitë për manipulime dhe pseudo-shkencë janë shumëfishuar. Nga shkallët më ulëta deri te më ta lartë dilemat e shkollimit dhe shkencëbëries janë shtuar.

Sot, matjet apo metrika akademike në institucionet e arsimit të lartë është shndërruar në kriter avancimi dhe garimi. Kultura “boto ose vdis” (publish or perish) – është një nga sfidat më të mëdha të akademisë moderne. Pikët e arritura, numri i publikimeve, kjo është e gjithë agjenda. Shkollarët e sodit më shumë e kanë dertin se çfarë do të botojnë se sa çfarë po lexojnë, çfarë po analizojnë teorikisht për të elaboruar empirikisht. Debate të nxehta zhvillohen në fushën e shkencëmetrisë (scientometrics) dhe epistemologjisë moderne ku në epiqendër janë ndikimi (impact) dhe dukshmëria (visibility), ndërsa sekondare mbeten përmbajtja dhe cilësia reale.

Kur shteti ose universitetet kushtëzojnë gradat akademike vetëm me botime në platforma, databaza ose shërbine të indeksimit të citimeve shkencore (scientific citation indexing service), ato shpesh kalojnë nga “ekselenca” te një “burokraci shifrash”. Kualiteti po zëvendësohet nga kuantiteti. Një pjesë e profesorëve shkruajnë artikuj të shpejtë, shpesh sipërfaqësorë, thjesht për të kapur numrat e kërkuara nga institucioni gjegjës.

Ndërkohë janë formuar edhe të ashtuquajturit “kartele të citimeve”, grupe autorësh që citojnë në mënyrë disproporcionale njëri-tjetrin, shumë më tepër sesa citojnë grupet e tjera të autorëve që punojnë në të njëjtën fushë. (Perc & Fister, 2016) Në vakt, cilësia reale matet përmes peer-review (vlerësimit kolegial) të ndershëm, dobisë praktike që punimi sjell në shoqëri dhe risisë konceptuale që ai prezanton. Platformat e metrikës masin “valutën” e tregut shkencor global, por jo domosdoshmërisht të vlerën shkencore.

Gjetjet tregojnë se në ndërtimin e databazave shënohet favorizim i shkencave ekzakte (STEM). Në shkencat natyrore (fizikë, kimi, mjekësi), dija lëviz shumë shpejt, publikimet janë në formë artikujve të shkurtër shkencorë prej 5-10 faqesh. Një zbulim i ri citohet në qindra artikuj brenda 2-3 viteve. Nga ana tjetër, në shkencat shoqërore (sociologji, filozofi, histori), cikli i prodhimit të dijes është më i ngadaltë. Një libër ose artikull sociologjik i shkruar sot mund të fillojë të citohet masivisht pas 5 ose 10 vitesh, kur teza e tij të jetë përtypur nga komuniteti shkencor.

Në disa fusha të mjekësisë dhe biologjisë, revistat kryesore mund të kenë lehtësisht “Impact Factor” mbi 10 ose 20. Në sociologji, edhe revistat më prestigjioze kanë zakonisht vlera dukshëm më të ulëta; për shembull, American Sociological Review, revista kryesore e American Sociological Association, ka pasur në vitet e fundit një faktor ndikimi që sillet rreth 6–8. (Hicks, 2006) Nëse një universitet ose një ministri e arsimit zbaton të njëjtat kritere numerike për vlerësimin e një biologu dhe një historiani, sistemi burokratik rrezikon ta favorizojë sistematikisht biologun, ndërsa historiani mund të gjendet në një pozitë të pafavorshme për shkak të dallimeve në kulturën e publikimit, normat e citimit dhe praktikat akademike ndërmjet disiplinave. Metrikat komerciale krijojnë një “epistemologji ekstraktive-zhvatëse” (për t’iu referuar logjikës së Nobelistit Daron Acemoglu). Ato detyrojnë shkencat shoqërore të braktisin rolin e tyre kritik dhe hulumtimet me vlerë lokale, vetëm për t’u përshtatur me formatin industrial të shkencave natyrore për hir të mbijetesës akademike.

Publikimet formale pa vlerë reale mund të shmangen duke vendosur cilësinë mbi sasinë dhe duke ndryshuar kriteret e vlerësimit akademik. Universitetet duhet të forcojnë kontrollin mbi revistat predatore, të kërkojnë standarde të besueshme të rishikimit shkencor dhe të promovojnë parimet e Shkencës së Hapur përmes transparencës së të dhënave dhe metodologjisë. Vlerësimi i studiuesve duhet të marrë parasysh jo vetëm numrin e publikimeve, por edhe risinë, cilësinë, ndikimin shkencor dhe impaktin shoqëror të kërkimit.

Një proces më rigoroz dhe transparent i peer review, së bashku me kritere të përshtatura për dallimet ndërmjet disiplinave, do të reduktonte publikimet e motivuara vetëm nga avancimi në karrierë. Përgjegjësia i takon edhe vetë studiuesit, i cili duhet të pyesë veten nëse ka një kontribut të ri dhe të dobishëm për të ofruar apo thjesht po e shton një publikim tjetër në CV-në e vet.  Sprinti akademik që për momentin është trendy, letargjia dhe gjumi disadekadësh i “doajenëve të shkencës” dhe lokalizmi i disa hulumtuesve (botimet vetëm në Albanosferë dhe në përmasa ballkanike) janë fenomene të patolerueshme sepse e mbysin klinikisht kërkimin dhe universitetin. Brengosës është fakti që në mjediset tona, revista shkencore zotërojnë edhe shoqatat që s’kanë të bëjnë me shkencën, që veprojnë sips formulës “Nise artikullin sot, ta botojmë pasnesër!”, që çmohen nga profile të caktuara për shkak të stekës së ulët kërkimore-metodologjike.

Për fund të theksojmë se ndërgjegjja e njeriut është faktori kryesor që ia ruan integritetin dhe prestigjin akademik. S’ka monitorim që 100% detekton abuzimin dhe piraterinë akademike. Secili person e di se çfarë është e tij dhe çfarë e huaj. Origjinaliteti minimal është më i mirë se masoviteti joautentik. Për të shkruar pak duhet lexuar shumë, për të publikuar cilësisht dhe sipas kritereve,  leximin duhet bërë mënyrë jetese.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.