Shefshet Demirovski, prodhuesi i municionit në Maqedoni i paprekur nga skandalet në Serbi

Dokumenti tregon se gjobën e Demirovskit e ka paguar person i cili më pas u akuzua për pjesëmarrje në rrjet për kontrabandimin e kokainës

Më 22 korrik të vitit 2024 rreth orës 6 të mëngjesit në derën e inxhinierit 36-vjeçar të armëve në Serbi u dëgjua trokitje. Personi, të cilin autoritetet serbe e identifikuan me inicialet M.O., në atë kohë po flinte në shtrat me gruan e tij. Edhe dy fëmijët e tij ishin në gjumë, transmeton Portalb.mk nga Prizma.

Gruaja u ngrit dhe e hapi derën. Pas kësaj oficerët e policisë me uniforma, të shoqëruar nga agjentë të sigurisë serbe, u futen shpejt në shtëpi dhe e shtrinë M.O. në dysheme.

Po atë natë u arrestuan edhe dy inxhinierë të tjerë të armëve, 64-vjeçari D.L. dhe 63-vjeçari D.M.. Këta të tre më parë kishin punuar për prodhuesin shtetëror të armëve të Serbisë “Krushik”.

Pas arrestimit ata u akuzuan për zbulim të informacionit konfidencial në lidhje me prodhimin e granatave 120 milimetërshe për hedhësit e minave nga “Krushik” për kompaninë nga Maqedonia me të cilën ata bashkëpunonin – “ATS Group”, e cila është në pronësi të Shefshet Demirovskit.

Kjo nuk është hera e parë që emri i Demirovskit të shfaqet në një rast të dyshuar për spiunazh industrial në Serbi. Në vitin 2019 ai u akuzua se kishte korruptuar një ish-punonjës të prodhuesit serb të municioneve “Prvi Partizan”, për t’i siguruar specifikime konfidenciale lidhur me makineritë e prodhimit.

Arrestimet e vitit 2024 e nxorrën në pah konkurrencën e ashpër mes prodhuesve në sektorin e mbrojtjes në Ballkan, në të cilin Serbia mburret me një nga industritë ushtarake më të mëdha dhe furnizon fushëbeteja në mbarë botën.

Me rritjen e kërkesës globale për armë dhe municione nga Ballkani, rritet edhe rivaliteti.

Pjesë e kësaj skene është edhe Demirovski, për të cilin ka pak informacione të disponueshme publikisht.

Me mbështetjen e shtetit dhe lidhje të ngushta me Turqinë biznesmeni 50-vjeçar u shndërrua në një nga prodhuesit privatë më ambiciozë të pajisjeve për mbrojtje ushtarake në Maqedoni, duke prodhuar municion të kalibrit të vogël.

“Dashtë Zoti të kemi më shumë njerëz si Sheki në këtë vend”, thotë një ish-zyrtar qeveritar për BIRN, duke e thirrur Demirovskin me nofkën e tij.

Por, aktivitetet e supozuara të Demirovskit në Serbi zbulojnë një anë më të pakëndshme të suksesit të tij, si dhe lidhje të mundshme me nëntokën e krimit në atë shtet. Demirovski nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara në adresën e tij zyrtare elektronike dhe përmes Viber-it, edhe pse i lexoi mesazhet në Viber.

Arrestimi në Beograd

Demirovski zotëron tre fabrika në Maqedoni nën kompaninë “ATS Group”.

Të parën e ka themeluar në Shkup në vitin 2017 dhe në të prodhon helmeta, jelekë anti-plumb dhe pajisje të tjera mbrojtëse personale për ushtarë dhe policë. Në vitin 2019 ai e ka themeluar kompaninë “ATS Engineering”, e cila prodhon makineri për prodhimin e municionit, ndërsa në vitin 2020 e ka blerë fabrikën e municionit të kohës së socializmit në Samokov, e cila tani quhet “AMMO ATS”.

Ish-kryeministri Zoran Zaev me Shefshet Demirovskin në hapjen e ATS Engineering | Foto: Qeveria e RMV-së
Ish-kryeministri Zoran Zaev me Shefshet Demirovskin në hapjen e ATS Engineering | Foto: Qeveria e RMV-së

Gjatë gjithë kësaj periudhe ai ka pasur mbështetje publike nga udhëheqësit e të gjithë spektrit politik në vend, si dhe lidhje të ngushta me Turqinë.

Për shembull, në vitin 2019 kur e hapi “ATS Engineering” në hapje mori pjesë kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev dhe e falënderoi Demirovskin për donacionin me pajisje për policinë në vlerë prej 50.000 euro.

Pasardhësi i Zaevit, Dimitar Kovaçevski, në vitin 2023 e vizitoi fabrikën në Samokov. Në mars të vitit të kaluar Qeveria në krye me VMRO-DPMNE-në i dërgoi ministrat e punëve të jashtme dhe të mbrojtjes, Timço Mucunski dhe Vllado Misajllovski, në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit midis “ATS” dhe “MKE”, kompanisë më të madhe shtetërore turke të pajisjeve për mbrojtje, me të cilin po planifikohet hapja e një reparti të ri për prodhimin e barutit.

Vetëm dy muaj pas hapjes së “ATS Engineering” në vitin 2019 Demirovski u arrestua në Serbi nën dyshimin për dhënien e ryshfetit.

Ministrat Mucunski dhe Misajllovski në nënshkrimin e memorandumit me MKE | Foto: MPB
Ministrat Mucunski dhe Misajllovski në nënshkrimin e memorandumit me MKE | Foto: MPB

Sipas raporteve të mediave serbe atëkohë Demirovski në hotelin “Konstantin Veliki” në Beograd, ishte takuar me një ish-inxhinier të “Prvi Partizan” dhe dyshohet se i kishte dhënë atij 30.000 euro dhe i kishte premtuar edhe 30.000 të tjera pas sigurimit të informacioneve që ai i kërkonte lidhur me prodhimin e municionit të kalibrit 12,7 mm.

Këta të dy u arrestuan në takimin e radhës në “Hilton”.

Luleshitësi

Për Demirovskin u hap hetim, por prokurorët serbë në vitin 2022 vendosën t’i tërheqin akuzat kundër tij në shkëmbim për gjobë prej 250.000 euro.

Marrëveshja u lidh mbi bazë të rregullit që u mundëson prokurorëve që në vend të procesit gjyqësor të shqiptojnë gjobë në para —opsion ky vetëm për vepra penale për të cilat është paraparë dënim me burg deri në pesë vjet. Duke e pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit, kjo marrëveshje habiti shumë njerëz.

Ndërkohë, “ATS” vazhdoi pa problem ta prodhojë municionin e vet të kalibrit 12,7 mm.

Ndoshta edhe më shqetësues është fakti se sipas dokumenteve të rastit në të cilat pati qasje BIRN pagesën prej 250.000 eurosh nuk e ka bërë Demirovski, por një shtetas i Serbisë i quajtur Aleksandar Millojeviq, i njohur më mirë si “Aca Luleshitësi” për shkak të biznesit të tij me lule.

Në mars të vitit të ardhshëm Millojeviq ishte një nga nëntë personat e akuzuar në lidhje me trafikimin e kokainës nga Amerika Jugore në Evropë. Në mesin e të akuzuarve kishte policë serbë dhe malazezë, si dhe një agjent të Agjencisë për Siguri dhe Informacion të Serbisë -BIA.

Sipas aktakuzës në të cilën siguroi qasje BIRN, kamionët e Millojeviqit ishin përdorur për transportimin e parave ilegale nga Holanda në Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci. Ai akuzohet se një pjesë të parave i kishte fshehur në apartamentin e tij në Beograd.

Apartamenti ndodhet në të njëjtën adresë me atë që është e shënuar pranë emrit të Millojeviqit kur e ka kryer pagesën prej 250.000 euro për tërheqjen e akuzave kundër Demirovskit.

“Tipa të tillë shfaqen gjithmonë”, deklaroi eksperti serb i armëve, Aleksandar Radiq për Demirovskin.

Ai e krahason Demirovskin me tregtarin serb të armëve, Sllobodan Teshiq, i cili kishte marrëdhënie të gjatë dhe fitimprurëse me shtetin serb, pavarësisht se ishte vënë në listën e zezë të SHBA-ve dhe kaloi një dekadë në listën e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

“Është e qartë se ka mbështetje të fortë nga njerëz të fuqishëm”, thotë Radiq.

Konkurrent i “Prvi Partizan”-it të Serbisë

Krahas helmetave, jelekëve anti-plumb dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse personale Demirovski prodhon edhe municion të kalibrit të vogël sipas standardeve të NATO-s prej 9 mm, 5,56 mm, 7,62 mm dhe 12,7 mm.

Burime nga industria e mbrojtjes që kanë njohuri për tregun në Maqedoni thonë se “ATS” me vëllimin e vet të prodhimit i bën konkurrencë “Prvi Partizan”-it të Serbisë.

“Serbia dëshiron ta kontrollojë biznesin e prodhimit të municionit në Ballkan dhe prandaj e sheh Demirovskin si kërcënim”, thotë burimi i cili më parë ka qenë i përfshirë në monitorimin e prodhimit të pajisjeve të mbrojtjes në Maqedoni.

Burimi, i cili kërkoi të mbetet anonim, thotë se ndalimi i Demirovskit në Serbi duhet të shihet edhe në kontekstin e përpjekjeve të Serbisë për ta ruajtur dominancën e saj.

Por, ashtu si në vitin 2019, rasti me tre ish-punonjësit e “Krushik” nga viti 2022 lidhur me prodhimin e granatave për mina hedhës prej 120 mm ende është në fazën hetimore, deklaroi për BIRN burim nga sektori i mbrojtjes, gjë që ngre dyshime nëse ndonjëherë do të rezultojë me aktakuzë.

Demirovski nuk u akuzua kurrë. Të tre mohuan çfarë do faji. Ndërkohë “ATS” ende nuk prodhon granata me madhësi prej 120 mm.

Anëtarë amerikanë dhe britanikë të këshillit

Sipas Demirovskit nga 40 deri në 50 përqind e prodhimit të “ATS” dërgohet në SHBA, ku kompania e tij që nga shtatori i vitit 2022 ka regjistruar një përfaqësi në St. Louis, Missouri.

“Punojmë për vendet e NATO-s, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne dhe vazhdimisht dallohemi nga konkurrentët për shkak të cilësisë më të mirë”, tha ai në një intervistë të rrallë në nëntor të vitit 2023.

“E gjithë bota tashmë di për ne.”

Për të depërtuar edhe në tregun amerikan “ATS” ka nënshkruar marrëveshje me dy kompani lobimi atje, “Mercury” dhe “Valcour”.

E para është në pronësi të ish-senatorit republikan David Vitter, ndërsa e dyta është e Matt Mowers, ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump.

Anëtarët e bordit të ATS-së | Foto: ueb-faqja e ATS-së
Anëtarët e bordit të ATS-së | Foto: ueb-faqja e ATS-së

Menjëherë para vizitës së delegacionit shtetëror të Maqedonisë në Uashington të dhënat e dorëzuara në FARA tregojnë se “Mercury” në emër të “ATS”-së ka lobuar për partneritet strategjik midis SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut, përmbajtja e të cilit deri diku përputhet me atë që më vonë u dakordua në bisedimet zyrtare dhe me atë që zyrtarët nga Maqedonia e deklaruan publikisht. Disa zyrtarë aktualë e mohuan koordinimin me Demirovskin, duke e vlerësuar veprimin si një veprim solo të tij.

Lidhjet me Turqinë

Në vitin 2008 ai përmendet si përfaqësues i kompanisë turke “Yalcin”, e cila u përpoq pa sukses të blinte shkritoren e plumbit dhe zinkut në Veles. Partner i tij deri në vitin 2024 në “ATS Engineering” ishte Oktay Ercan, i cili ka interesa në sektorin turk të mbrojtjes dhe ka prodhuar uniforma për ushtrinë sudaneze gjatë diktaturës së Omar al-Bashir.

Kryetar i Këshillit Këshilldhënës të “ATS Group” është gjenerali në pension i ushtrisë amerikane James L. Jones, ish-komandant i lartë i NATO-s dhe i forcave amerikane në Evropë, si dhe këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë kohës së ish-presidentit amerikan Barack Obama.

Sipas “Washington Post” Jones është edhe këshilltar me pagesë i Arabisë Saudite dhe Libisë.

Edhe gjeneral – nënkoloneli në pension i ushtrisë amerikane, Michael Barbero, i cili ka punuar në luftën kundër terrorizmit në Irak është anëtar i Këshillit Këshilldhënës, si dhe John DeVito, ish-punonjës në Byronë për alkool, duhan, armë dhe municion në Nju Jork dhe John David Enright, i cili e përshkruan veten si person me “më shumë se 30 vjet përvojë në bashkëpunim me degë të ndryshme të ushtrisë amerikane, departamente dhe divizione të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve dhe agjenci si CIA dhe inteligjenca ushtarake DIA”.

Nga Britania anëtar i Këshillit është Sir Richard Barrons, oficer në pension i ushtrisë britanike, i cili ka komanduar Korpusin e Reagimit të Shpejtë të NATO-s dhe Komandën e Përbashkët të Forcave të Ushtrisë Britanike.

Edhe deputeti konservator Mark Pritchard ka qenë anëtar i Këshillit dhe në fillim të vitit 2024 në një deklaratë për median londineze openDemocracy tha se fitonte 900 euro në orë duke punuar për Demirovskin, gjë që nxiti kritika nga Partia Laburiste, duke pasur parasysh përfshirjen e Demirovskit në atë kohë në aferën me dhënien e ryshfetit në Serbi. Pritchard nuk figuron më si anëtar i Këshillit në ueb-faqen e “ATS”.