Në Tetovë u rrit krimi: 622 vepra penale për gjashtë muaj, 8% më shumë se vjet
Në gjashtë muajt e parë të vitit në rajonin të cilin e mbulon Stacioni Policor Tetovë janë regjistruar 622 vepra penale, e cila përbën rritje prej 8% në krahasim me vitin e kaluar. Gjatë kësaj periudhe janë zbardhur 87% e veprave e cila paraqet përmirësim të vogël në krahasim me vitin e kaluar prej 84%, shkruan Portalb.mk.
Në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Tetovës, komandanti i Stacionit Policor Tetovë me kompetenca të përgjithshme, Muhamed Ademi, sqaroi se gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore janë parashtruar 492 kallëzime penale kundër 616 kryerësve, që është rritje në krahasim me vitin paraprak.
Në cilat fusha u regjistruan krimet?
Në fushën e kriminalitetit klasik janë regjistruar 528 vepra, apo 20% më shumë se në vitin 2025.
Te vjedhjet e rënda janë regjistruar 21 raste, apo 70% më pak se vitin e kaluar.
Nuk është regjistruar asnjë vepër penale grabitje, ku vitin e kaluar u regjistruan 3.
Janë zbuluar 68 vepra penale nga fusha e krimit ekonomik, me 47 kallëzime penale të parashtruara kundër 66 kryerësve .
Te krimi i organizuar dhe trajtimi i të huajve, në këtë periudhë është regjistruar një vepër penale “falsifikim i parave”. Janë kryer 7 kontrolle aksionale në objekte hotelerike, të drejtuara drejt zbulimit të shtetasve të huaj që qëndrojnë dhe punojnë ilegalisht. Gjatë kësaj, janë kontrolluar 55 persona, prej të cilëve 25 ishin shtetase të huaja. Për 17 prej tyre, për shkak të kundërvajtjeve të kryera nga Ligji për të huajt, siç janë qëndrimi në kundërshtim me qëllimin dhe qëndrimi i paregulluar, janë parashtruar kërkesa për procedurë kundërvajtëse.
Janë zbuluar 18 vepra penale të lidhura me drogën, më së shumti “Prodhimi i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve” .
Janë zbuluar 5 vepra penale “Përpunimi, mbajtja dhe tregtimi i paautorizuar me armë ose materiale shpërthyese” sipas Nenit 396 të Kodit Penal. Në kuadër të procedurave penale dhe kundërvajtëse, janë konfiskuar pistoleta, municion, thika, si dhe 2906 copë fishekzjarre dhe 31 mjete piroteknike.
Në fushën e tregtisë së palejuar me mallra të tjera, gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit 2026, është zbuluar gjithsej 1 vepër penale.
Në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2026, në SP Tetovë nuk janë regjistruar vepra penale nga Ligji për lojërat e fatit, Ligji për operacionet devizore, si dhe nuk janë regjistruar vepra penale kundër shtetit, përveç një vepre penale “Hyrja e paautorizuar në objekte ushtarake”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 350 të Kodit Penal, e cila është në të njëjtin nivel krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Sfidë e madhe për rendin dhe qetësinë publike
Siç deklaroi komandanti i Stacionit Policor të Tetovës, Muhamed Ademi, kjo fushtë paraqet sfidën më të madhe për gjysmën e parë të vitit.
Janë regjistruar 188 kundërvajtje, që është rritje prej 59% në krahasim me vitin 2025.
Numri më i madh i kundërvajtjeve janë grindjet dhe britmat, sjellja e pacipë dhe sulmet fizike, të rregulluara me Ligjin për kundërvajtjet kundër rendit dhe qetësisë publike.
“Në 30 raste, nëpunësit policorë kanë përdorur mjete shtrënguese (forcë fizike dhe mjete për lidhje), në përputhje me autorizimet nga Neni 80, Neni 83 dhe Neni 85 të Ligjit për policinë. Në të gjitha rastet, përdorimi është vlerësuar si i justifikuar”, sqaruan nga Stacioni Policor.
Mbi 300 aksidente në komunikacion
Në gjysmëvjetorin e parë të vitit 2026, janë regjistruar 323 aksidente komunikacioni, që është një ulje e lehtë prej 0,3%. Në këto aksidente janë lënduar 271 persona. Shkaku më i shpeshtë vazhdon të jetë shpejtësia e madhe.
Nga numri i përgjithshëm i aksidenteve të komunikacionit, me pasoja më të rënda kanë ndodhur 191 aksidente komunikacioni (2025 – 166). Nuk janë regjistruar aksidente komunikacioni me pasoja vdekjeprurëse ndërsa me lëndime janë 271 persona.
Shërbimet policore kanë kryer aktivitete intensive kontrolli, gjatë të cilave janë konstatuar 9041 kundërvajtje dhe janë marrë masat përkatëse, përfshirë përjashtimin e 791 shoferëve nga komunikacioni.
Për vepra penale të kryera nga fusha e sigurisë së komunikacionit publik në periudhën e përmendur, te prokuroritë publike kompetente në Tetovë janë parashtruar 177 kallëzime penale (2025 – 145) kundër 180 kryerësve (2025 – 148) për 242 vepra penale të kryera (2025 – 160).
Çfarë më tutje?
Raporti thekson edhe aktivitetet parandaluese të cilat janë ndërmarrë në këtë periudhë si projektet në shkolla, fushatat në komunikacion dhe bashkëpunimi me institucionet.
Në bazë të këtyre të dhënave, Sektori për Punë të Brendshme Tetovë i ka propozuar Këshillit Komunal të shqyrtojë dhe mbështesë disa nisma si: plan të përbashkët veprimi për rendin dhe qetësinë publike përmes trupit të përbashkët koordinues, përmirësim i infrastrukturës së komunikacionit, mbështetja e projekteve parandaluese dhe informimi publik përmes fushatave ndërgjegjësuese.