Ekuipazhi profesional dhe sjellja e pasagjerëve, faktorë kyç që evakuimi nga avioni i djegur në Tokio u krye pa viktima

Japonia do të hapë hetim ndërkombëtar për përplasjen e djeshme të dy avionëve në pistën e aeroportit “Haneda” në Tokio, në të cilin pritet të marrin pjesë ekspertë nga Franca dhe Britania e Madhe, prodhuesit e avionit të shkatërruar të pasagjerëve “Airbus A350”, shkruan BBC, transmeton Portalb.mk.

Të gjithë 379 personat në këtë avion u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa në avionin tjetër i cili i përkiste rojës bregdetare japoneze, në të humbën jetën pesë persona dhe vetëm një person arriti të shpëtonte.

Evakuimi spektakolar i njerëzve nga aeroplani i Japan Airlines mahniti botën dhe ekspertët besojnë se kjo ndodhi për shkak të trajnimit rigoroz të ekuipazhit dhe sjelljes së mirë të pasagjerëve. Një nga faktorët kyç që nuk pati viktima është se pasagjerët dolën nga avioni i djegur pa bagazhet dhe sendet e tyre personale.

“Në pamjet nuk shihet asnjë pasagjer që mban bagazhe me vete. Nëse njerëzit do të përpiqeshin të merrnin bagazhet e tyre të kabinës, kjo do të ishte e rrezikshme dhe do të ngadalësonte konsiderueshëm evakuimin“, tha Ed Gelea, drejtor i Grupit të Sigurisë nga Zjarri në Universitetin e Greenwich.

Ai tha se gjendja e avionit e vështirësoi edhe më shumë evakuimin, pasi ishte anuar me hundën përpara, duke e bërë të vështirë lëvizjen e pasagjerëve.

Për evakuimin e pasagjerëve mund të përdoreshin vetëm tre rrëshqitës me ajër, por ato nuk u vendosën siç duhet për shkak të mënyrës se si u ul avioni. Rrëshqitja ishte shumë e pjerrët dhe për këtë arsye mundej të ishte e rrezikshme.

Kompania tha se vetëm një pasagjer kishte mavijosje dhe 13 të tjerë kërkuan konsultim mjekësor për shkak të shqetësimit fizik.

Rikujtojmë se, më 2 janar një avion i Japonisë mori flakë në aeroportin Haneda të Tokios të martën pas një përplasjeje të mundshme me një avion të Rojës Bregdetare. Kompania ajrore tha se të gjithë 379 pasagjerët dhe ekuipazhi ishin evakuuar në mënyrë të sigurt.