Shkupi në fund të listës për cilësinë e jetesës, Cyrihu i pari

Rreth 90% e banorëve të Bashkimit Evropian shprehen të kënaqur nga mënyra e jetesës në qytete e tyre, tregojnë rezultatet e Raportit të Unionit për cilësinë e jetesës në qytetet evropiane për vitin 2023. Por, megjithatë kënaqësinë e këtillë nuk e ndajnë banorët e qyteteve të Ballkanit përfshirë edhe shkupjanët, por edhe të disa metropoleve evropiane, njofton Portalb.mk.

Shkupi ndodhet në vendin e 75-të nga gjithsej 83, me 72% qytetarë të kënaqur, sipas kritereve që matin se sa qytetarët janë të kënaqur nga jeta në këtë qytet.

Vetëm 13% e shkupjanëve kanë vlerësuar se cilësia e jetesës është më e mirë sesa para pesë vitesh.

84% e qytetarëve të anketuar kanë deklaruar se pajtohen që ka korrupsion në administratën lokale të qytetit. Vetëm 23% e qytetarëve janë të kënaqur me mirëmbajtjen e higjienës në qytet. Për nivelin e zhurmës në qytet, vetëm 36% të banorëve janë shprehur të kënaqur.

Vetëm 12% e banorëve të Shkupit janë të kënaqur me cilësinë e ajri, ndërkaq 27% nga shërbimet shëndetësore në qytet. 35% e qytetarëve të anketuar janë shprehur të kënaqur me hapësirat e gjelbra në qytet, ndërkaq 47% janë shprehur të pakënaqur me transportin publik.

Më mirë se Shkupi është ranguar Mishkolci i Hungarisë (74% të kënaqur) dhe Podgorica (77%% të kënaqur), ndërkaq më të pakënaqur se shkupjanët sipas kushteve të jetesës janë banorët e Romës (71%), Neapol dhe Tirana (66%), Stambolli dhe Athina (nga 65%) dhe në fund Palermo me 65%.

Në krye të listës ndodhet Cyrihu i Zvicrës me 97% qytetarë të kënaqur, para Kopenhagës së Danimarkës dhe Groningenit të Holandës me nga 96% qytetarë të kënaqur. Pas tyre vijojnë, Gdanjansku i Polonisë, Lajpcigu i Gjermanisë, Stokholmi i Suedizë dhe Gjeneva e Zvicrës me nga 95%. Me nga 94% janë qytetet Rostok i Gjermanisë, Kluzh-Napoka i Rumanisë dhe Braga e Portugalisë.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.