Japonia në garë me kohën për të shpëtuar të mbijetuar pas tërmeteve të fuqishme

Punëtorët e shpëtimit kanë vazhduar të mërkurën përpjekjet e tyre për të shpëtuar të mbijetuar të bllokuar nën rrënoja, para se të nisë moti i ftohtë dhe reshjet e shiut, përderisa kryeministri japonez tha se shteti është në garë me kohën pasi tërmete të fuqishme goditën perëndimin e shtetit, duke vrarë 62 persona. Dhjetëra persona besohet se kanë mbetur të bllokuar nën ndërtesat e rrëzuara, shkruan REL.

Prefektura e Ishikavas dhe zonat përreth u goditën nga një tërmet prej 4.9 ballësh mëngjesin e së hënës – një prej dhjetëra dridhjeve pasuese të tokës pas tërmetit të së hënës prej 7.6 shkallësh të Rihterit, me epiqendër në Ishikava.

Tërmeti i fuqishëm i së hënës nxiti autoritetet të lëshojnë paralajmërime për cunami, ndërkaq në disa vende valët e detit arritën deri në një metër.

Ekspertët kanë thënë se 72 orët e para janë kritike sepse pas tri ditësh mundësitë për mbijetesë veniten.

“Më shumë se 40 orë kanë kaluar. Kjo është garë me kohën dhe mendoj se ne jemi në një moment kritik”, tha për gazetarët kryeministri japonez, Fumio Kishida.

“Ne kemi pranuar raporte se shumë njerëz ende po presin që të shpëtohen pasi gjenden nën rrënojat e ndërtesave të shembura”.

Autoritetet në Noto, ku ishte epiqendra e tërmetit, po përballen me vështirësi pasi nuk po mund të arrijnë në disa komunitete për të shpëtuar të mbijetuarit.

Në disa zona vazhdon të mos ketë ujë, rrymë dhe shërbime të telefonisë mobile.

Meteorologët kanë paralajmëruar se do të ketë shira të rrëmbyeshëm në Ishikava, duke shtuar shqetësimet se mund të ketë rrëshqitje të dheut dhe të ketë dëme edhe më të mëdha në ndërtesat që janë buzë shembjes. Temperaturat gjatë natës pritet të jenë rreth 4 gradë Celsius.

Sipas autoriteteve në Ishikava, 29 viktima janë regjistruar në qytetin Vajima dhe 22 të tjerë në Suzu. Njëmbëdhjetë vdekje të raportuara ende presin të konfirmohen nga autoritetet në Vajima, që nënkupton se numri i përgjithshëm i viktimave ka të ngjarë të arrijë në 64. Po ashtu, dhjetëra persona kanë pësuar lëndime serioze.

Autoritetet në Ishikava po ashtu u kanë bërë thirrje banorëve që të vendosin maska dhe të lajnë duart me sapunë me qëllim që të parandalohet përhapja e ndonjë sëmundjeje ngjitëse, pasi që të evakuuarit gjenden së bashku në qendra të strehimit.

Zyrtarët japonezë kanë paralajmëruar se ka gjasa që shteti të goditet nga tërmete edhe më të fuqishme.

Japonia shpesh goditet nga tërmetet sepse gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

Një tërmet i fuqishëm, i pasuar nga një cunami në marsin e vitit 2011, shkaktoi shtrirje e tre reaktorëve dhe lirimin e një sasie të madhe të rrezatimit në një central bërthamor në verilindje të Japonisë.