“Eja edhe ti, sepse ajri nuk do të pastrohet vetë”, paralajmërohet protestë për ajër të pastër në Shkup

Iniciativa qytetare “Stop për Usjen” përmes rrjeteve sociale ka bërë thirrje për marsh protestues që do të mbahet të shtunën, më 31 janar në ora 12:00, duke filluar para Qeverisë, ku pjesëmarrësit do të marshojnë drejt Kuvendit, dhe marshimi do të përfundojë para Ministrisë së Mjedisit, transmeton Portalb.mk.

Me moton: Eja edhe ti, sepse ajri nuk do të pastrohet vetë, nga iniciativa bëjnë të ditur se protestojnë për mbrojtjen e të drejtës për ajër të pastër dhe për të ushtruar presion mbi institucionet që të marrin masa konkrete, duke theksuar se fitimi nuk mund të jetë mbi shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

“Le të themi së bashku STOP për helmimin nga USJE. Na shohim të shtunën!”, shkruhet njoftim.

Deri tani për shkak të ndotjes së ajrit janë mbajtur dy protesta para fabrikës së çimentos “Titan Usje”, ku qindra qytetarë dolën për të kërkuar ndalimin e ndotjes së vazhdueshme ajrore.

Iniciativa deri tani ka dërguar kërkesa te disa institucione, të cilat i ka publikuar edhe në mënyrë të hapur.

Kërkesat kanë qenë të fokusuara te monitorimi i vazhdueshëm dhe transparent i ndotjes, dënime të rrepta dhe ndalim i aktivitetit kur tejkalohen kufijtë, përputhje me standardet e OBSH-së, kalim te energjitë më të pastra dhe heqja e pengesave ligjore që kufizojnë qasjen e publikut, me qëllim kontroll të plotë dhe reduktim të ndotjes industriale.

Para disa ditësh, nga kompania “TITAN Usje” përsëritën se emetimet nga veprimtaria e tyre janë vazhdimisht nën vlerat kufitare të përcaktuara me ligj dhe se që nga viti 2007 ato monitorohen 24 orë.

“Kompania nuk ka mundësi të ndikojë në asnjë mënyrë mbi rezultatet. Procesi teknologjik e pamundëson funksionimin e repartit pa funksionimin e filtrave”, thanë nga TITAN Usje.

Kujtojmë se pas një sërë protestash dhe kërkesash nga iniciativat qytetare për ajër të pastër, Qyteti i Shkupit ka pranuar iniciativën për zhvendosjen e fabrikës së çimentos Usje jashtë qytetit. Tani Qeveria duhet të shqyrtojë mënyrën për të filluar procedurë për zhvendosjen e Usje dhe të gjithë ndotësve të mëdhenj industrialë në vende të përshtatshme jashtë luginës së Shkupit.

Ndryshe, Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke kryesuar listat e qyteteve më të ndotura.