Kuvend, nuk kaluan ndryshimet e Kodit Zgjedhor
Nuk janë miratuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Në votimin e parë votuan 86 deputetë, prej tyre 66 pro, ndërkaq 18 ishin kundër. Në votimin e dytë, kur votimi u bë nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, nga 29 deputetë të regjistruar, 11 deputetë votuan pro, kurse 18 kundër, transmeton Portalb.mk.
Sot në kuvend u mbajt seancë e jashtëzakonshme, siç u njoftua nga kuvendi, për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat sigurojnë përputhje me rekomandimet e ODIHR-it dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Ndryshimet janë të nevojshme, pasi që synojnë rritjen e transparencës në procesin zgjedhor përmes: rregullimit të mediave elektronike dhe portaleve online në përputhje me Ligjin për media, harmonizimit me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ku u shfuqizuan dispozitat që rregullonin numrin e nënshkrimeve të kërkuara për paraqitjen e listës së kandidatëve nga një grup votuesish, si dhe harmonizimi me Ligjin për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore”, u tha në njoftimin e kuvendit.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë.