Ministria e Drejtësisë letër Parlamentit: Partitë dhe grupet e pavarura të emërojnë përfaqësues për grupin punues për Kodin Zgjedhor

Ministria e Drejtësisë i dërgoi letër Parlamentit, partive parlamentare dhe grupeve të pavarura dhe deputetëve për të nominuar nga dy përfaqësues për grupin e punës për Kodin Zgjedhor. Pritjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Parlamentit janë që ato të fillojnë punën në gjysmën e dytë të janarit, transmeton Portalb.mk.

Siç shpjegoi Ministria e Drejtësisë, një version pune i Kodit Zgjedhor do t’u dorëzohet deputetëve të cilët, pas konsultimeve me partitë e tyre amë, duhet të paraqesin propozime në grupin e punës.

Javën e kaluar, ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, zhvilloi takim pune në Parlament me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, si dhe me koordinatorët e grupeve parlamentare, në të cilin diskutuan nevojën për rregullim sistematik të Kodit Zgjedhor.

16 gusht të këtij viti në kuvend u mbajt seancë e jashtëzakonshme, siç u njoftua nga kuvendi, për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat sigurojnë përputhje me rekomandimet e ODIHR-it dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të njëjtat nuk u miratuan. Në votimin e parë votuan 86 deputetë, prej tyre 66 pro, ndërkaq 18 ishin kundër. Në votimin e dytë, kur votimi u bë nga deputetët e komuniteteve jo shumicë, nga 29 deputetë të regjistruar, 11 deputetë votuan pro, kurse 18 kundër.