KOM-KO kërkoi aminin e MPJ-së për të shkuar në Moskë për 80-vjetorin e Kirillit, mbështetësit të luftës ruse në Ukrainë
Në një kohë kur Maqedonia e Veriut iu bashkua sanksioneve evropiane kundër Rusisë dhe kur marrëdhëniet ndërmjet Moskës dhe vendeve perëndimore mbeten të rënduara për shkak të luftës në Ukrainë, Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) po dërgon një delegacion zyrtar në kryeqytetin rus. Arsyeja e vizitës është shënimi i 80-vjetorit të lindjes së patriarkut rus Kirill, i cili gjatë viteve të fundit ka mbështetur hapur politikën ushtarake ruse në Ukrainë, raporton Slloboden Peçat, transmeton Portalb.mk.
Në festimin që është caktuar për 20 nëntor do të marrin pjesë mitropoliti i Dibrës dhe Kërçovës, Gjorgji, si dhe sekretari i Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve, peshkopi i Heraklesë, Kliment. Të dy janë caktuar nga kryepeshkopi z.z. Stefan, ndërsa pjesëmarrja e tyre është konfirmuar edhe nga Sinodi.
Vendimi për udhëtimin vjen në rrethana specifike politike. Maqedonia e Veriut, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe anëtare e NATO-s, është përafruar me masat kufizuese evropiane kundër Rusisë.
Nga ana tjetër, KOM-KO ka vendosur të përfaqësohet zyrtarisht në një ceremoni kushtuar patriarkut Kirill, i cili konsiderohet një nga mbështetësit më të spikatur të politikës së presidentit rus, Vladimir Putin.
Edhe pse prania zyrtare në një festë kishtare nuk përbën në vetvete shkelje të sanksioneve, pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë të KOM-KO-së në një ngjarje kushtuar Kirillit mund të interpretohet edhe përtej kornizave fetare.
Burime të larta në KOM-KO i kanë shpjeguar gazetës “Sloboden Peçat” se ftesa fillimisht i ishte dërguar kryepeshkopit Stefan, i cili kishte vendosur që, në vend të pjesëmarrjes së tij personale, në Moskë të dërgonte dy hierarkë.
“Ftesa për shënimin e ditëlindjes së patriarkut rus Kirill në Moskë i është drejtuar kreut të KOM-KO-së, z.z. Stefan, por ai vendosi që në emër të tij të dërgojë dy hierarkë. Sinodi diskutoi propozimin dhe e pranoi”, thonë burimet.
Sipas tyre, udhëheqësia kishtare ishte e vetëdijshme për ndjeshmërinë politike të vizitës, prandaj, para ndërmarrjes së hapave përfundimtarë organizativë, ishte vendosur kontakt edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
“Pas pranimit të vendimit, për shkak të situatës specifike politike me Rusinë, kontaktuam Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga atje morëm përgjigje se e respektojnë statusin autonom të KOM-KO-së në shoqërinë maqedonase dhe se nuk shohin problem që takimi të mbahet, nëse Kisha konsideron se është në të mirë të kauzës maqedonase të jetë e pranishme në këtë ngjarje”, shpjegojnë burimet.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme për “Sloboden Peçat” konfirmojnë se ishin informuar për vizitën e planifikuar, por në përgjigjen zyrtare nuk saktësojnë nëse institucioni kishte dhënë pëlqim politik apo rekomandim për udhëtimin.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme ishte informuar nga Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit për vizitën e planifikuar në Moskë, Rusi. Bëhet fjalë për aktivitete që janë në kuadër të vendimmarrjes autonome të KOM-KO-së”, u përgjigjën nga Ministria.
Burimet kishtare, ndërkaq, theksojnë se ngjarja në Moskë nuk do të kufizohet vetëm në festimin e ditëlindjes. Sipas paralajmërimeve që kanë marrë, janë paraparë edhe takime në nivelin më të lartë kishtar.
“Pritet pjesëmarrja e patriarkut bullgar Daniel, si dhe e hierarkëve nga Kishat Ortodokse Shqiptare, Gjeorgjiane dhe Polake. Nuk përjashtohet mundësia që në ceremoni të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kishës Ortodokse Greke”, bëjnë të ditur bashkëbiseduesit e SP.
Për KOM-KO-në, tubime të tilla kanë edhe rëndësi shtesë për shkak të procesit të njohjes ndërortodokse të autoqefalisë së saj.
Në maj të vitit 2022, Patriarkana Ekumenike e pranoi hierarkinë kishtare maqedonase në bashkësi kanonike, ndërsa më pas Kisha Ortodokse Serbe lëshoi Tomosin për autoqefali. KOM-KO vazhdon të synojë marrjen e Tomosit edhe nga Patriarkana Ekumenike dhe njohje më të gjerë në botën ortodokse.
Në këtë kontekst, prania në Moskë mund të shihet si pjesë e përpjekjeve të udhëheqësisë kishtare maqedonase për të mbajtur kontakte me disa kisha ortodokse autoqefale.
Ndërkaq, marrëdhëniet ndërmjet Patriarkanës së Moskës dhe asaj Ekumenike janë dëmtuar rëndë për shkak të çështjes kishtare ukrainase. Të dyja patriarkanat kanë qëndrime të kundërta për njohjen e autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës, gjë që i ndërlikon më tej marrëdhëniet ndërortodokse.