Kriva Pallanka do të paraqesë padi për moszbatimin e vendimeve për konfiskimin e bagëtive

Komuna e Kriva Pallankës sot do të paraqesë disa kallëzime penale në Prokurorinë Publike kompetente për shkak të mosveprimit pas vendimeve të plotfuqishme për konfiskimin e bagëtive, njoftoi kryetari i komunës, Sashko Mitovski, në një deklaratë para Gjykatës Themelore në Kriva Pallankë, transmeton Portalb.mk.

Përmes kallëzimeve kërkohet që Prokuroria të shqyrtojë veprimet e zyrtarëve në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari dhe në Agjencinë për Menaxhimin e Pronës së Konfiskuar.

Komuna kërkon të përcaktohet se kush ka qenë i obliguar t’i zbatojë vendimet, nëse ka pasur keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe nëse përmes lëshimeve është rrezikuar shëndeti dhe siguria e qytetarëve.

“Durimi i qytetarëve është drejt fundit. Në mbledhjen e Shtabit Komunal të Krizës kërkuam një plan konkret dhe një afat. Ende nuk e dimë se kur Agjencia do të fillojë t’i zbatojë vendimet e veta. Kërkova gjithashtu që të më jepen kompetencat e nevojshme, në mënyrë që si kryetar komune të mund të marr përgjegjësi për zgjidhjen e problemit. Deri më sot nuk kam marrë përgjigje as për këtë kërkesë”, deklaroi Mitovski.

Komuna po ashtu do të paraqesë ankesë në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, duke kërkuar të shqyrtohet nëse në këtë rast ka elemente të korrupsionit. Ndërsa në Inspektoratin Shtetëror Administrativ do të paraqesë kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese, me qëllim që të përcaktohet se cilat veprime janë ndërmarrë pas miratimit të vendimeve, ku ka ngecur procedura dhe kush është përgjegjës për lëshimet eventuale.

Mitovski theksoi se tufat e bagëtive vazhdojnë të hyjnë në arat e qytetarëve dhe të lëvizin nëpër rrugë. Ditëve të fundit, bagëti janë vërejtur edhe në oborrin e shkollës së mesme në Kriva Pallankë.

Kryetari i komunës i ftoi bashkëqytetarët në protestë të qetë qytetare të shtunën, më 21 nëntor, në orën 11:00, në kryqëzimin pranë motel “MKD”.

“I ftoj të gjithë bashkëqytetarët tanë, nga qyteti dhe fshatrat, që të qëndrojmë pranë familjeve që prej shumë kohësh po e bartin këtë barrë. Në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, së bashku të kërkojmë që vendimet të zbatohen dhe tufat të vihen nën kontroll. T’i japim fund këtij poshtërimi me të cilin po na përqesh e gjithë bota”, porositi Mitovski.