Dy shoferë dëshmuan në “Besa Trans”: Dokumentet e autobusëve i siguronte kompania, ne i gjenim në autobus

Dy shoferë të “Besa Trans” që gjatë vitit 2021 kanë vozitur autobusë në relacione Shkup – Stamboll, me propozim të palës mbrojtëse sot dëshmuan në Gjykatën Penale të Shkupit për rastin “Besa Trans”, në të cilin kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, ku si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar, raporton Portalb.mk.

Ata konfirmuan se kanë qenë shoferë dhe kanë vozitur autobusë të ndryshëm të “Besa Trans” dhe nuk kanë pasur ndonjë autobus që çdoherë e kanë shfrytëzuar.

“Kur kemi dalë jashtë Maqedonisë kemi pasur dokumente dhe ato që na kanë kërkuar ua kemi dhënë në pikat kufitare. Dokumentet e nevojshme kanë qenë brenda autobusit”, tha shoferi Nimet Aliovski, duke shtuar që nëse nuk do të kishin dokumente nuk do t’i lëshonin në kufi.

Avokati Alispahiq, e pyeti nëse pronari Bekim Haxhiu i ka dhënë dokumente duke i thënë se çfarë të bëni me ato dokumente, ndërkaq shoferi Aliovski tha se nuk u ka dhënë.

Shoferi konfirmoi se në mesin e autobusëve që ka vozitur, është edhe ai me targa SK0284BA, gjegjësisht ai i cili u aksidentua në Bullgari.

Përgjigje të ngjashme dha edhe shoferi tjetër, Samet Aliovski, duke theksuar se ka qenë i punësuar dhe ka vozitur në relacione Shkup-Stamboll, por edhe nëpër vende tjera të rajonit. Edhe ai tha se ka vozitur disa autobusë, të “Besa Trans” dhe dokumentet gjithmonë i ka gjetur brenda autobis.t

“Dokumentet kanë qëndruar në autobusë pasi kanë qenë të autobusëve. Zyrtarët doganorë gjithmonë na kanë kërkuar dokumente që ta kalojmë kufirin dhe ne i kemi ftuar”, tha shoferi Samet Aliovski.

Ai, ashtu sikur edhe kolegu i tij paraprak, tha se koordinimin me vozitësit e ka bërë vëllai i Bekim Haxhiut, Bedri Haxhiu.

Gjykatësi në fund i pyeti nëse të gjitha dokumentet e nevojshme për kalimin në kufi të autobusit e ka siguruar firma “Besa Trans”, ndaj çka shoferi Samet Aliovski u përgjigj me “po”.

Në seancën e radhës, më 29 gusht, me propozim të mbrojtjes, do të thirren edhe 4 dëshmitarë, gjegjësisht Bedri Haxhiu, Besmir Haxhiu, Naser Imerov dhe Sami Zekiri.

Në seancën e kaluar, prokurori Vlladimir Milloshevski, prezantoi video nga kamerat e sigurisë së pikës kufitare “Deve Bair” për daljen dhe hyrjen e autobusëve të kompanisë, njëri prej të cilëve u aksidentua. Avokati i mbrojtjes, Asmir Alispahiq në bisedë me gazetarin e Portalb.mk theksoi se nuk është aspak kontestuese prova e prokurorit, pasi që edhe ata si mbrojtje nuk e mohojnë atë që autobusi ka dalë nga vendi dhe më pas nuk është kthyer.

Për çfarë akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj?

Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.

Nga seancat paraprake:

Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona