Rasti “Besa Trans”, Prokuroria prezantoi videot nga kamerat e sigurisë kur autobusët kanë kaluar në “Deve Bair”
Prokurori Vlladimir Milloshevski, në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Besa Trans”, sot prezantoi video nga kamerat e sigurisë së pikës kufitare “Deve Bair” për daljen dhe hyrjen e autobusëve të kompanisë, njëri prej të cilëve, më 23 nëntor, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, ku si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar, raporton Portalb.mk.
“Në video mund të shihni se më 18 nëntor të vitit 2021, në ora 21:51:10 sekonda, autobusi me targa SK0284BA [autobusi i aksidnetuar] ka dalë nga Maqedonia e Veriut nëpërmjet pikës kufitare “Deve Bair” [dhe ka hyrë në Bullgari për të vazhduar më pas në Turqi]. Në video, shihet se autobusi, është ndaluar në terminal dhe më pas është larguar”, tha prokurori Milloshevski gjatë prezantimit të video-materialit.
Ai gjithashtu tregoi se, bashkë me atë autobus, kanë dalë nga shteti edhe tre autobusë tjerë të “Besa Trans”.
Në vazhdim, prokurori tregoi disa video-materiale, ku më 23 nëntor të vitit 2021, në pikën kufitare “Deve Bair” rreth orës 04:00 shihen duke hyr në RMV nga Bullgaria, autobusët e “Besa Trans”, përveç atij me targa SK0284BA, i cili është aksidentuar, rreth dy orë më parë.
Alispahiq, reagoi duke theksuar se nuk ka nevojë që të tregohen këto video-materiale, pasi që periudha e përmendur nuk është e përfshirë në aktakuzë.
“Ky prezantim nuk ka të bëjë me akuzën, pra kjo nuk është përfshirë në akuzë”, tha Alispahiq.
Ai në bisedë me gazetarin e Portalb.mk theksoi se nuk është aspak kontestuese prova e prokurorit, pasi që edhe ata si mbrojtje nuk e mohojnë atë që autobusi ka dalë nga vendi dhe më pas nuk është kthyer.
Prokuroria tha se ka përfunduar me prezantimin e provave të tyre.
Nga ana tjetër, mbrojtja propozoi një listë me emra të dëshmitarëve, të cilët duhet të dëshmojnë në seancat e radhës.
Seanca e radhës u caktua për më 11 korrik, në ora 09.
Gjatë seancës së kaluar, prokurori, prezantoi një dokument “exel” me të dhënat nga sistemi elektronik i Doganës së Maqedonisë së Veriut i quajtur “Eksim”, i cili mban evidencë për një sërë të dhënash për automjetet që hyjnë dhe dalin nga vendi jonë. Nga ajo që pamë, autobusi i aksidentuar në Bullgari, janarit të vitit 2021, deri në datën e aksidentit, autobusi disa herë është larguar nga vendi. Së fundmi ka qenë në Stamboll, por paraprakisht ka kaluar kufirin edhe të Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë.
Për çfarë akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj?
Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.
Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.
Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.
Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i Prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.
Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.
Nga seancat paraprake:
- LEXO: Seanca 7. Rasti “Besa Trans”, prokurori: Autobusi i aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me certifikatë licence të autobusëve tjerë
- LEXO: Seanca 6. Përfaqësuesi i Doganës dëshmoi para gjykatës nëse autobusi i “Besa Trans” ka pasur certifikatë të licencës
- LEXO: Seanca 5. U anulua seanca për “Besa Trans”: Përfaqësuesit e doganës erdhën, por përfaqësuesi i kompanisë ende është jashtë shtetit
- LEXO: Seanca 4. Drejtoria Doganore: Nuk jemi palë në rastin “Besa Trans”, prandaj nuk jemi arsyeja e anulimit të seancës së sotme
- LEXO: Seanca 3. Gjyqi për “Besa Trans” u shty për më 2 shkurt, pronari i kompanisë kishte simptoma të kovidit
- LEXO: Seanca 2. Nuk ndihem fajtor, tha menaxheri i “Besa Trans” për falsifikimin e licencës së autobusit nga aksidenti në Bullgari
- LEXO: Seanca 1. Seanca gjyqësore për rastin “Besa Trans” më 15 nëntor, avokati kërkoi të mos lidhet rasti me aksidentin në Bullgari
- LEXO: Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj pronarit të “Besa Transit” për falsifikimin e licencës për transport ndërkombëtar
Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona