Vazhdoi rigjykimi për tragjedinë e autobusit “Besa Trans” në Bullgari
Një ditë pas përvjetorit të katërt të tragjedisë, në Gjykatën Penale në Shkup sot ka vazhduar rigjyimi për aksidentin e autobusit në Bullgari “Besa Trans” ku vdiqën 45 persona, raporton Portalb.mk.
Rigjykimi nuk ka të bëjë me aksidentin, por vetëm me licencën.
Ndërkaq është ndërruar edhe prokurori.
Akuzën në rigjykim do ta përfaqësojë Zoran Zdravev, pasi Vlladimir Milloshevski është avancuar në pozitën e prokurorit të lartë.
sot në seancë të pranishëm ishin përfaqësues nga Ministria se Transportit, resorit kompetent i cili jep certifikatat e licencave për transportuesit.
Draganço Jovev i punësuar në këtë ministri, tha se mbetet në deklarimin që e ka dhënë gjatë gjykimit të parë, respektivisht se kompania “Besa Trans” ka pasur licencë për transport ndërkombëtar për pesë autobusë, por nuk ka pasur licencë për autobusin e djegur.
Seanca e radhës është caktuar për më 19 dhjetor, ku pritet të dëshmojë përfaqësuesi i Doganës, të cilën gjykatësi Ivica Stefanovski, e ka cilësuar si thelbin e lëndës.
Në korrik 2025 rifilloi gjykimi për këtë rast pasi Gjykata e Apelit në dhjetor 2024 pranoi ankesat e të akuzuarve dhe shfuqizoi vendimin e shkallës së parë për rastin “Besa Trans”, me të cilin pronari Bekim Haxhiu u dënua me 20 muaj burg.
Lënda ka filluar nga e para në Gjykatën Penale, ku në bankën e të akuzuarve është ulur sërish Haxhiu dhe përfaqësuesi i subjektit juridik “Besa Trans”.
Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.
Tragjedia ndodhi më 23 nëntor të 2021 në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa 7 mbijetuan.