Rasti “Besa Trans”, prokurori: Autobusi i aksidentuar në Bullgari e ka kaluar kufirin me certifikatë licence të autobusëve tjerë
Në Gjykatën Penale të Shkupit sot u mbajt seancë gjyqësore për rastin “Besa Trans”, në të cilën kompania si person juridik dhe pronari i kompanisë Bekim Haxhiu akuzohen për falsifikimin e certifikatës së licencës së autobusit i cili në orët e para të 23 nëntorit të vitit 2021, duke ardhur nga Stambolli për në Shkup, në autostradën “Struma” të Bullgarisë është aksidentuar dhe më pas është djegur, ku si pasojë kanë humbur jetën 45 persona, ndërkaq 7 të tjerë janë lënduar, raporton Portalb.mk.
Në fillim të seancës, për të dytën herë me radhë u pyet përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Dragançe Jovçev, i cili deklaroi se qëndron në atë që ka deklaruar në seancën 15 nëntorit të vitit 2022.
Në pyetje të Asmir Alispahiq, avokat i “Besa Transit” dhe pronarit të saj Bekim Haxhiu, përfaqësuesi i Doganës tha se Ministria e Transportit dhe lidhjeve ka dhënë licencë për transport për kompaninë në fjalë dhe certifikata të licencës për disa autobusë.
Prokurori e pyeti nëse ka lëshuar certifikatë licencë për autobusin me targa “SK0284BA” (autobusi i aksidentuar në Bullgari), ndërkaq Jovçev tha se Ministria e Transportit nuk ka lëshuar certifikatë për këtë autobus.
Seanca vazhdoi me prezantimin e prokurorit Vlladimir Milloshevskit, nëpërmjet një CD, ku kishte 6 dokumente.
“5 dokumente prej këtyre i kemi prezantuar para gjykatës dhe për këtë s’ka nevojë të përsëritemi. Janë pjesë e provave”, tha Milloshevski, duke i propozuar gjykatës dhe mbrojtjes që ta prezantojë vetëm dokumentin e gjashtë, për çka ata u pajtuan.
Prokurori, prezantoi një dokument “exel” me të dhënat nga sistemi elektronik i Doganës së Maqedonisë së Veriut i quajtur “Eksim”, i cili mban evidencë për një sërë të dhënash për automjetet që hyjnë dhe dalin nga vendi jonë.
“Në këtë dokument, mund të shihet numri rendor i automjetit, lloji i transportit, evidenca për video-regjistrim, ekzistenca e kartelës së takografit, “çelësi hyrës”, zyra doganore, data dhe ora e daljes nga shteti, data he ora e hyrjes në shtet, emri i transportuesit, targat e regjistrimit, emri i shoferit të autobusit, numri i udhëtarëve, lista e udhëtarëve, relacioni, emrat e zyrtarëve doganorë, numri amë, të dhënat për licencën, të dhënat për certifikatat e licencës”, tha prokurori gjatë prezantimit të tij, për autobusin autobusin e aksidentuar.
Nga ajo që pamë, autobusi i aksidentuar në Bullgari, janarit të vitit 2021, deri në datën e aksidentit, autobusi disa herë është larguar nga vendi. Së fundmi ka qenë në Stamboll, por paraprakisht ka kaluar kufirin edhe të Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë.
“Në kolonën për licencë, mund të shihni numra. Gjithashtu në kolonën për certifikatë të licencës ka disa numra, të cilat janë të nxjerra prej certifikatave të autobusëve tjerë dhe jo prej këtij autobusi”, tha Milloshevski.
Avokati Alispahiq, pas mbarimit të seancës së sotme, për Portalb.mk, deklaroi se prezantimi i sotëm i “exel” dokumentit, nga ana e prokurorit është në dobi të “Besa Trans”, pasi sipas tij, aty u tregua se certifikatat ishin origjinale dhe jo të falsifikuara.
“Atje në një pjesë të tabelës “exel” padyshim mund të konstatohet se të gjitha kalimet që janë kryer nga ana e autobusëve të “Besa Trans” kanë poseduar certifikata të licencave ose licenca të personit juridik. Aq më shumë, në vetë tabelën “exel” saktë është shkruar edhe numri i licencës ose certifikatës. Askund nuk është evidentuar kurrfarë vërejtje nga Drejtoria Doganore se ato licenca janë ribërë ose janë të rrejshme ose çfarëdo mungese tjetër në atë këndvështrim. Prej këtu mund të themi se vepra penale për të cilën akuzohet “Besa Trans” dhe pronari i saj, Bekim Haxhiu, sipas mbrojtjes nuk mund të mbijetojë pasi në situatën konkrete edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, por edhe i Doganës konfirmuan se nuk kanë asnjë vërejtje në aspektin e kalimit të pikave kufitare, jo vetëm në Bullgari, por edhe në Kosovë, Serbi, Shqipëri, por edhe drejtimeve tjera”, tha Alispahiq.
Në seancën e kaluar, para gjykatës dëshmoi përfaqësuesi i Doganës së Maqedonisë së Veriut, i cili foli për kushtet që duhet t’i plotësojë një autobus për të kaluar kufirin.
Autobusi i cili është aksidentuar nuk ka pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar, por gjatë kalimit të kufirit e ka përdorur certifikatën e një autobusi tjetër, ndërkaq Dogana e cila është dashur ta kontrollojë – e ka lëshuar. Prokuroria akuzon pronarin dhe “Besa Transin” se certifikata është falsifikuar, ndërkaq teza e mbrojtjes është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në çështje – vepër për të cilën akuzohet drejtuesi dhe kompania. Ata pretendojnë se nuk është bërë dokument i rremë dhe as nuk është ndryshuar licenca ekzistuese për t’u përdorur si e vërtetë.
Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.
Drejtoria Doganore një ditë pas aksidentit informoi se pas kontrolleve të kryera, është vërtetuar se autobusi i “Besa trans” – Shkup i cili është djegur në autostradën në Bullgari, nuk ka qenë fare i evidentuar se ka dalë jashtë shtetit. Për këtë dy doganierë janë suspenduar nga puna për shkak veprimit të paligjshëm. Sipas njoftimit të Portalb.mk njëri doganier është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.
Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vlladimir Miloshevski.
Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. Në mesin e 45 të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.
Nga seancat paraprake:
- LEXO: Seanca 6. Përfaqësuesi i Doganës dëshmoi para gjykatës nëse autobusi i “Besa Trans” ka pasur certifikatë të licencës
- LEXO: Seanca 5. U anulua seanca për “Besa Trans”: Përfaqësuesit e doganës erdhën, por përfaqësuesi i kompanisë ende është jashtë shtetit
- LEXO: Seanca 4. Drejtoria Doganore: Nuk jemi palë në rastin “Besa Trans”, prandaj nuk jemi arsyeja e anulimit të seancës së sotme
- LEXO: Seanca 3. Gjyqi për “Besa Trans” u shty për më 2 shkurt, pronari i kompanisë kishte simptoma të kovidit
- LEXO: Seanca 2. Nuk ndihem fajtor, tha menaxheri i “Besa Trans” për falsifikimin e licencës së autobusit nga aksidenti në Bullgari
- LEXO: Seanca 1. Seanca gjyqësore për rastin “Besa Trans” më 15 nëntor, avokati kërkoi të mos lidhet rasti me aksidentin në Bullgari
- LEXO: Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj pronarit të “Besa Transit” për falsifikimin e licencës për transport ndërkombëtar
Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona