RMV, nga e enjtja fazë portokalli, temperatura mbi 40 gradë

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike bën të ditur se nën ndikimin e valës së të nxehtit do të ketë një periudhë me mot stabil dhe shumë të nxehtë me temperatura ditore në pjesën më të madhe të vendit mbi 35 gradë, transmeton Portalb.mk.

Siç theksojnë nga DPH, temperaturat e mëngjesit në Shkup dhe në pjesët jugore nuk do të zbresin nën 20 gradë.

Vapë do të jetë veçanërisht ditën e enjte dhe të premte, kur temperatura do të kalojë 40 gradë dhe do të jetë aktiv niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta.

Në raste të valës së nxehtë vlejnë rekomandimet sipas të cilave gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç lirohen nga puna për dy ditët në vijim, fëmijët në kopshte nuk lejohen të bëjnë aktivitet fizik nga ora 11:00. nga ora 17:00, sektori privat duhet të organizojë orarin e punës me qëllim mbrojtjen e punëtorëve nga ekspozimi i drejtpërdrejtë i diellit, si dhe rekomandohet të shmanget qëndrimi jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00.

Në kopshte rekomandohet të mos ushtrohen aktivitet fizik në natyrë dhe të mos nxirren fëmijët jashtë nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Rekomandimet vlejnë edhe për njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqin e Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, për ofrimin e ndihmës për personat e vetmuar, të moshuar, të dobët dhe të pastrehë në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit.

Gjithashtu rekomandohet që punëdhënësit të respektojnë detyrimet ligjore në lidhje me disa procese teknologjike dhe prodhuese, të cilat paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve.