Vazhdoi gjykimi për rastin “Besa Trans” në Gjykatën Penale të Shkupit, dëshmoi përfaqësuesi i Doganës

Përfaqësuesi i Doganave, Armend Ibrahimi sot dëshmoi në seancën gjyqësore për rastin “Besa Trans”, ku pronari i kompanisë transportuese Bekim Haxhiu është i akuzuar për falsifikim të certifikatës së licencës së autobusit që u aksidentua në nëntor të vitit 2021 në Bullgari, ku si pasojë humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan, raporton Alsat.

Ibrahimi u pyet nga prokurori dhe mbrojtja në bazë të udhëzimeve të Gjykatës së Apelit e cila lëndën e ktheu në rigjykim në dhjetor të vitit të kaluar. Çështje kontestuese ishte paqartësia e të dhënave të shënuara për licencën e autobusin të aksidentuar në sistemin e Doganave ku regjistrohet dalja e automjeteve i njohur si EKSIM. Autobusi gjatë vitit 2021 është regjistruar disa herë në këtë sistem gjatë daljeve nga shteti, megjithatë në rubrikën ku jepen të dhënat për licencën e autobusit është shkruar termi “NUL”.

Ibrahimi theksoi që për të qenë të sigurt se çfarë nënkupton kjo shkurtesë kanë kërkuar mendim prej Sektorit për Teknologji Informatike të Doganës, të cilët janë përgjigjur se termi “NULL” nënkupton e zbrazët apo e paplotësuar. Që nënkupton se rubrika ku është dashur të shkruhet certifikata e licencës, nuk është plotësuar fare.
Megjithatë, mbrojtja shprehu vërejtje duke theksuar që me këtë dëshmi nuk u sqarua ajo që kërkohet sipas udhëzimeve, respektivisht çfarë nënkuptohet me termin “NULL” dhe për çfarë arsye nuk është plotësuar. Plotësisht shprehu vërejtje që Ibrahimi jep përgjigje për çështje që nuk janë të sektorit të tij të punës. Megjithatë, Ibrahimi theksoi se është përfaqësues ligjor i Doganës dhe se nuk ka qenë në vendngjarje kur janë plotësuar ose jo të dhënat e autobusit, pasi që këto janë kompetenca të zyrtarit doganor. Sa i përket përgjigjes, Ibrahimi tha se ajo paraqet deklarim zyrtar të Doganës.

Procesi gjyqësor nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me aksidentin, respektivisht shkaqet e tragjedisë së Bullgarisë. Sipas akuzës, prej 10 janarit të vitit 2021 e deri në ditën e aksidentit, autobusi ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar 20 herë. Për këtë, sipas Prokurorisë është fajtor pronari i kompanisë Bekim Haxhiu, i cili nëpërmjet shoferëve të ndryshëm, ka mundësuar që autobusi të udhëtojë në relacione të ndryshme. Megjithatë, Haxhiu është shprehur se ndjehet i pafajshëm për këtë akuzë. Procesi gjyqësor mbi 3 vite nuk po merr epilog të plotfuqishëm. Fillimisht Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, por Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim.

Seanca e radhës gjyqësore vazhdon më 20 shkurt të vitit të ardhshëm.