Njëri nga dy doganierët e suspenduar për lëshimin e autobusit të “Besa Trans” pa certifikatë licence, është kthyer në punë
Drejtoria Doganore e Maqedonisë së Veriut konfirmoi për Portalb.mk, se dy doganierët e suspenduar, një ditë pas aksidentit të autobusit të “Besa Trans” në Bullgari, pasi që e kanë lëshuar autobusin të kalojë kufirin pa u evidentuar, janë ndëshkuar, gjegjësisht njëri është përjashtuar nga puna, ndërkaq tjetri është gjobitur me 15 përqind të rrogës për gjashtë muaj.
“Për parregullsitë e konstatuara, për dy zyrtarë doganierë të cilët kanë qenë në turn kur automjeti ka dalë nga shteti, menjëherë janë ndërmarrë masa për suspendim nga vendi i punës. Për ato është ngritur procedurë disiplinore. Njërit prej zyrtarëve doganor i cili ka qenë në turn i është ndaluar marrëdhënia e punës në Drejtorinë Doganore, ndërkaq zyrtarit të dytë doganor i është shqiptuar masë disiplinore – gjobë në para në lartësi prej 15% nga paga e fundit mujore neto në kohëzgjatje prej 6 muajve”, konfirmojnë nga Drejtoria Doganore për Portalb.mk.
Dy doganierët në fjalë nuk e kanë evidentuar në mënyrë elektronike daljen nga shteti të automjetit me tabela të regjistrimit SK 0284 BA të transportuesit “Besa Trans” nga Shkupi, por kanë bërë vetëm verifikim të listës evidentuese për transport të udhëtarëve.
Pavarësisht lëshimit, doganierët i kanë shpëtuar ndjekjes penale.
Nga ana tjetër, kompania “Besa Trans” si person juridik dhe pronari i saj, Bekim Haxhiu, akuzohen nga Prokuroria për “falsifikimin e licencës”.
Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga fshati Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi gjatë vitit 2021 nga data 10 janar deri në aksidentin e 23 nëntorit.
Në seancën e kaluar gjyqësore, dëshmoi para gjykatës përfaqësuesi i Doganës, i cili lexoi rregullat për kalimin e autobusit në kufi.
“Për të kaluar një autobus, duhet të ketë: Llojin e lejes (eksport, import…), emrin e transportuesit, numrin amë të transportuesit, numrin e lejes, targat, numrin e certifikatës së licencës, emrin e shoferit, certifikatën, listën e udhëtarëve, relacionin e transportit dhe vendin ku është regjistruar transportuesi”, u përgjigj Dragan Vasilevski, në pyetjen e prokurorit.
Por, doganierët e kanë lëshuar autobusin që pastaj është aksidentuar, pa pasur certifikatë licence për transport ndërkombëtar. Megjithatë, përfaqësuesin e Doganës askush në gjykatë nuk e pyeti se si është e mundur të lëshohet një autobus me udhëtarë, pa certifikatën e licencës, e cila është e domosdoshme për të kaluar kufirin.
Teza e mbrojtjes së “Besa Trans” është se nuk ka falsifikim të dokumenteve në këtë çështje, pasi që sipas tyre, për t’u quajtur do të duhej të bëhej dokument i rremë nga një dokument origjinal, gjegjësisht nuk është ndryshuar licenca për t’u bërë e vërtetë, por autobusi ka përdorur një licencë të një autobusi tjetër e cila është origjinale. Për këtë, ato i bëjnë fajtorë doganierët që e kanë lëshuar autobusin.
Aksidenti i autobusit është një prej ngjarjeve më tragjike të RMV-së. Më 23 nëntor të vitit 2022, në orët e para të mëngjesit, autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek. 45 persona humbën jetën, në mesin e tyre kishte edhe 12 fëmijë. Vetëm 7 persona mbijetuan.
Gjithçka në lidhje me rastin, lexojeni dosjen e përgatitur nga Portalb.mk: Një vjet nga aksidenti i autobusit në Bullgari, gjithçka që ndodhi në tragjedinë ku humbën jetën 45 persona