Rasti gjyqësor “Besa Trans”, përfundoi faza e nxjerrjes së provave

Përfundoi faza e nxjerrjes së provova në procesin gjyqësor ku pronari i kompanisë “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, po gjykohet për falsifikim të certifikatës së licencës së autobusit që u aksidentua në Bullgari, transmeton Alsat.

Me saktësimin e aktakuzës sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit mbaroi faza e nxjerrjes së provave në rastin gjyqësor “Besa Trans”, i cili në dhjetor të vitit 2024 u kthye në rigjykim.

Saktësimin sqaron rrethanat e kalimit të autobusit në pikat kufitare, por nuk ndryshon thelbin për të cilin akuzohet pronari Bekim Haxhiu dhe kompania si person juridik.

Prokurori i çështjes, Zoran Zdravev, lexoi akuzën e precizuar, ndërsa më pas u anulua seanca, pasi mbrojtja e Haxhiut kishte të caktuar seancë në një lëndë tjetër. Seanca e ardhshme pritet të mbahet pas Muajit të Ramazanit, pas kërkesës së Haxhiut.

Procesi gjyqësor nuk ka të bëjë drejtpërdrejtë me aksidentin, respektivisht shkaqet e tragjedisë së Bullgarisë. Sipas akuzës, prej 10 janarit të vitit 2021 e deri në ditën e aksidentit, autobusi ka kaluar kufirin me certifikatë licence të falsifikuar 20 herë. Për këtë, sipas Prokurorisë është fajtor pronari i kompanisë Bekim Haxhiu, i cili nëpërmjet shoferëve të ndryshëm, ka mundësuar që autobusi të udhëtojë në relacione të ndryshme. Megjithatë, Haxhiu është shprehur se ndjehet i pafajshëm për këtë akuzë.

Procesi gjyqësor mbi 3 vite nuk po merr epilog të plotfuqishëm. Fillimisht Haxhiu u dënua me 20 muaj burg, por Gjykata e Apelit e ktheu lëndën në rigjykim.