Dy ofertat e shqiptarëve në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

Fronti Evropian dhe Koalicioni VLEN janë dy blloqet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, që mbahen më 24 prill dhe 8 maj, raporton Radio Evropa e Lirë. Në Maqedoninë e Veriut janë të regjistruara nëntë parti politike shqiptare, por ato tashmë kanë vendosur që në zgjedhje të marrin pjesë në njërin nga dy blloqet politike të partive në pushtet dhe opozitë.

Fillimisht, partitë opozitare vendosën për formimin e një koalicioni prej katër partive politike, të quajtur “VLEN”, që përbëhet nga Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët e kandidatit për president Arben Taravari dhe partia Alternativa.

Qëllimi i këtij koalicioni është “ndryshimi”, përkatësisht largimi nga Qeveria i Bashkimit Demokratik për Integrim, që është në pushtet tash e 22 vjet.

Koalicioni VLEN vlerëson se shqiptarët kanë nevojë për “ndryshimin e madh”, që, sipas tij, do të ndodhë në zgjedhjet e dyfishta në muajt prill dhe maj.

Ky koalicion në zgjedhjet presidenciale garon me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të ketë lista të përbashkëta në gjashtë njësitë zgjedhore sa ka Maqedonia e Veriut.

Pas koalicionit opozitar, një koalicion tjetër po formon Bashkimi Demokratik për Integrim.

Edhe pse fillimisht synohej koalicion i gjerë edhe me Lidhjen Social Demokrate të ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, BDI-ja megjithatë vendosi që koalicioni Fronti Evropian të përfshijë partitë më të vogla shqiptare dhe të bashkësive tjera etnike.

BDI-ja tashmë ka vendosur koalicione me Partinë Demokratike Shqiptare, Partinë “Populli” dhe Partinë Demokratike Evropiane, ndërsa në ditët në vijim do të arrihet marrëveshje për koalicion edhe me një parti rome dhe një turke.

BDI-ja në zgjedhjet presidenciale garon me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Kandidati i Frontit Evropian për President është Bujar Osmani me numrin 4, ndërsa kandidati i Lidhjes Evropiane për Ndryshim është Arben Taravari me numrin 6.