Dani Alves ia del, braziliani paguan 1 milion euro për lirimin e tij me kusht

Ish-futbollisti i kombëtares braziliane, Dani Alves, i dënuar për përdhunim në Spanjë në muajin shkurt, ka paguar garancinë e tij prej 1 milion eurosh dhe mund të largohet nga burgu në pritje të apelit të tij, tha një gjykatë të hënën, raporton ABC.

Një nga futbollistët më të dekoruar në botë, Dani Alves, u dënua muajin e kaluar me katër vjet e gjysmë burg për përdhunmin e një gruaje në banjën VIP të një klubi nate të Barcelonës, në orët e para të 31 dhjetorit 2022.

Në një veprim të befasishëm, një gjykatë e Barcelonës ra dakord të mërkurën e kaluar me kërkesën e tij për lirim të përkohëshëm, ndërsa apeli i tij shqyrtohet me kusht që ai të paguajë garancinë prej 1 milion eurosh, të dorëzojë pasaportat e tij spanjoll dhe braziliane, të qëndrojë në vend dhe të paraqitet në gjykatë.

40-vjeçarit iu desh deri të hënën për të paraqitur fondet, që do të thotë se ai mbeti në burg ndërsa rrethi i tij u përpoq të mblidhte paratë.

“Ju informojmë se depozitimi i kushtit të Dani Alves është regjitstruar në llogaritë e seksionit të 21-të të Gjykatës së Barcelonës”, thuhej në deklaratën e gjykatës.