Dikur kundërshtarë, sot të bashkuar: BDI, PDSH, PDE dhe Lëvizja Populli zyrtarizuan koalicionin parazgjedhor

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Partia Demokratike Evropiane (PDE) dhe Lëvizja Populli (LP) sot në Tetovë zyrtarizuan koalicionin për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nën moton e “Frontit Evropian”. Këtij koalicioni pritet t’i bashkohet edhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), shkruan Portalb.mk.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, liderët e partive politike u shprehën se qëllimi kryesor i tyre do jetë integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.

Kryetari i BDI-së e cila edhe udhëheq me këtë koalicion, Ali Ahmeti tha se nuk heqin dorë nga objektivat dhe se ky front nuk bëhet për përfitime partiake e personale, dhe se pritet të bashkëngjiten edhe parti tjera rome dhe turke.

“Ky front bëhet që të triumfojë në misione, vendi jonë vendin e ka aty te BE-ja ashtu siç jemi në NATO, pas jo dekade, pas pak vitesh të jetë i rreshtuar në BE…Nuk dyshoj fare në fitore madhështore që asnjëherë nuk e kanë bërë shqiptarët e Maqedonisë, do jetë fitorja më e madhe në historinë pas pavarësisë të këtij shteti…Këtij fronti duhet t’i bashkohen edhe bashkëqytetarët maqedonas”, tha Ahmeti.

Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi tha se rreziku që i kërcënohet RMV-së, rajonit dhe Ballkanit është që agresioni rus në Ukrainë, agresioni rus mbi botën e qytetëruar përmes dorës së zgjatur, tashmë në Serbi është instaluar, të instalohet në RMV, Mal të Zi dhe Bosnje.

“Ky bashkim është për të parandaluar këtë politikë që të zgjatet edhe në RMV. Ky bashkim kërkon prej popullit tonë të votohet me një numër 30 deputetësh që të pamundësojmë politikën ruse të institucionalizohet në RMV”, tha Thaçi.

Arjanit Hoxha nga PDE theksoi se ky bashkim vjen për qëllime më të mëdha dhe jo interesa të ngushta.

“Ky bashkërendim që po bëjmë ne sot është i vlerës historike që do të sjellë heqjen e kufijve mes vëllezërve dhe ashtu të bashkuar në BE do tregojmë se jemi pjesë e civilizimit perëndimor… Adresa jonë është Tirana dhe Prishtina dhe jo selia e VMRO-së”, tha Hoxha.

Ndërsa Skender Rexhepi Zejdi nga LP tha se fronti evropian do bëhet trup i përbashkët i shumë subjekteve politike nga shumë etni kombëtare në Maqedoninë e Veriut.

“Për të dëshmuar se një front evropian që na sjell të gjitha begatitë që duhet t’i pasojë një popull, gjeneratat që vijnë prapa do vijnë kryekëput të garantuara nga miqësia me SHBA-të dhe nga rrugëtimi ynë politik bashkë me BE-në”, tha Zejdi.

“Fronti Evropian”, Arjanit Hoxha, Ali Ahmeti, Meduh Thaçi dhe Skender Rexhepi Zejdi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
“Fronti Evropian”, Arjanit Hoxha, Ali Ahmeti, Meduh Thaçi dhe Skender Rexhepi Zejdi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në pyetjen e Portalb.mk se kur pritet të ketë diçka konkrete nëse Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) do t’i bashkohet këtij koalicioni, kryetari i BDI-së tha se ditëve në vijim pritet të materializohet.

“Sigurisht ditët në vijim do të arrijmë që të jetësojmë, ta materializojmë dhe të na shihni këtu bashkë të gjithëve, sigurisht që hap pas hapi bëhen punët.”, tha Ahmeti.

Në anën e kundërt është opozita shqiptare e cila në këto zgjedhje është bashkuar. Lëvizja BESA, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit) do të dalin bashkë në zgjedhje si Lidhja Evropiane për Ndryshim (VLEN).

Kandidati i Frontit Evropian për President është Bujar Osmani i cili mban numrin 4, ndërsa kandidati i Lidhjes Evropiane për Ndryshim është Arben Taravari i cili do mbajë numrin 6.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.