Dubrovniku dhe shqiptarët

Historiani dhe bizantologu kroat Barisha Krekiq (1928 – 2021), nëpërmjet librit Dubrovniku në shekujt 14 dhe 15: Një qytet midis Lindjes dhe Perëndimit (Oklahoma, 1972), na ofron disa të dhëna interesante për historinë tonë mesjetare. Sipas dokumenteve arkivore, që u referohet autori, hebrenjtë arritën në Dubrovnik edhe nëpërmjet Arbërisë. Për rindërtimin e Dubrovnikut, që u dogj në vitin 1296, si pasojë e një zjarri të madh, drunjtë u sollën edhe nga Arbëria. Aty jetonin shumë arbër dhe “burra të kombeve të tjera në një numër shumë të madh”. Ndërmjet Dubrovnikut dhe Arbërisë kishte shumë këmbime tregtare. Aty kishte edhe shumë tregtarë arbërorë. Në vitin 1436 mallrat e Dubrovnikut gjendeshin kryesisht në Arbëri, Bosnjë, Serbi, Turqi dhe në Rumani. Kjo republikë importonte shumë drithë nga Arbëria.

Në këtë libër përmenden raportet e mira të Skënderbeut me Dubrovnikun, por edhe veprimtaria e priftërinjve shqiptarë në viset bregdetare. Sipas një kontrate të vitit 1413, një mjeshtër nga Shibeniku me emrin Lucas e kishte angazhuar një prift arbëror që ta mësonte nipin e tij “të lexonte, të shpjegonte dhe të përkthente në gjuhën italiane”.

Vëmendje e veçantë i kushtohet Gjon Gazulit (1400  –  1465), i cili “vetëquhej raguzian dhe kështu thirrej edhe nga të tjerët”.

Gjoni, i biri i Gjin Gazulit, sipas Konstantin Jireçekut, ishte arbëror, i cili më 1430 doktoroi në Padovë për matematikë dhe astronomi, kurse tre vjet më vonë aty i ligjëroi lëndët e sipërpërmendura. Si diplomat ai i përfaqësoi interesat e Raguzës dhe të Skënderbeut, ashtu sikurse vëllai i tij. Ai u prit nga Papa dhe nga disa perandorë. Bibliofili dhe astronomi i shquar arbëror, i cili shkroi disa libra, luajti rol të rëndësishëm edhe në jetën kulturore të Dubrovnikut. Kudo që shkoi ai bleu libra dhe e krijoi një bibliotekë private shumë të pasur. Gazuli vdiq në Dubrovnik në vitin 1465 dhe u quajt “Mjeshtri i nderuar Johannes Gazulus, doktor i arteve dhe astronomi më i shquar”.

Autorët kroatë e vlerësojnë Gazulin si themeluesin e bibliotekës së parë në Dubrovnik. Në historikun e shkurtër të Bibliotekës së Dubrovnikut thuhet: “Të dhënat e para për një bibliotekë private në Dubrovnik vijnë nga matematikani dhe astronomi me origjinë shqiptare Gjon Gazuli (Johannes Gazulus, Ivan Gazulić) vetëm dy dekada pas themelimit të Bibliotekës së parë publike në Europë”.

Dy ditë para vdekjes, më 17 shkurt 1465, Gazuli la testamentin që librat e tij të vendoseshin në një vend dhe të ishin në shërbim të atyre që donin t’i shihnin dhe t’i lexonin. Amaneti i tij u plotësua nga një arbër tjetër, Nikola de Tanusi. Këtë të dhënë e gjejmë në studimin e Shime Juriqit, ku kemi shumë dokumente për jetën dhe veprën e Gazulit, për lidhjet e tij me Skënderbeun, por edhe me personalitete të ndryshme europiane.

Lidhjet e shqiptarëve me Dubrovnikun janë të kahershme. Pati shumë familje dinjitare raguziane që ishin me origjinë arbërore. Ndër më të njohurat ishte familja Sorgo. Në shekullin XIX u dallua politikani me origjinë shqiptare Pero Çingrija (1837-1921), i cili vlerësohet si drejtuesi më i popullarizuar dhe më jetëgjatë në historinë e Dubrovnikut. (Referencat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.