DREJT FETARISË A LA CARTE (I)

Feja, përgjithnjë temë aktuale, si për masat e gjera ashtu edhe për qarqet akademike që nëpërmjet instrumentariumit shkencor mundohen që këtij fenomeni t’i qasen në mënyrë sa më objektive dhe t’i analizojnë emanacionet e saj në botën individuale dhe shoqërore të njeriut. Vepra E ardhmja e fesë (Logos-A, 2026) e psikologut të njohur të religjionit Ali Köse paraqet një studim të faktuar me të dhëna empirike lidhur me statusin aktual-futurist të një fenomeni të mistershëm dhe shumëpërmasor, që prek shumë aspekte të jetës njerëzore individuale dhe shoqërore; që ekzistencës i jep një ngjyrë dhe kuptim të veçantë.

Sado që supozohet se ndikimi i kësaj dukuri po dobësohet si pasojë kalimit nga faza e “kthimit të së shenjtës” që nisi me rënien e komunizmit (fillimvitet 1990) në atë të shekullit XXI, që disa e quajnë post-metafizike ose post-teologjike, ajo është aktive, e gjallë, ende frymëzon turma. Feja është një vlerë planetare që ka mbijetuar kundërshtarët e vet më të mëdhenj, modernizmin, shekullarizimin, dhe përmendet si fuqi relevante nga jeta individuale, bashkësinore, shoqërore, deri te ajo globale apo e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Libri që e keni para jep një pasqyrë të sfidave me të cilat përballet feja sot, duke ofruar një sërë profecish akademike e të spektrumeve të ndryshme në lidhje me të ardhmen e saj. Hipoteza e shkencizmit është se shkenca e ka bërë fenë të panevojshme, se në saje të potencës racionale për të ndërtuar një rend botëror antropocentrik, të shkëputur nga fuqitë mbinatyrore, “të çmagjepsur”, se në mileniumin e tretë njeriu do t’i kthehet vetes dhe nuk do të merret me qiellin. Ndërkohë gjetjet, siç shprehet Grace Davie, mësojnë se besimi fetar është vital, por përkatësia ndaj fesë institucionale (korporative) po dobësohet; besimi që dikur ishte punë bashkësie, tani perceptohet si preferencë personale.

Trendi ose prirja gjithandej është privatizimi apo personalizimi i fesë. Secili e jeton fene sipas botekuptimit te vet të ri, të sintetizuar edhe me elemente nga fe e kultura të tjera (meditim, reinkarnim, astrologji, energji universale), larg fetarisë tradicionale-konvencionale të asaj që i takonte dikur familja. Madje disa autorë flasin edhe për besimin “zgjidh sipas dëshirës” (A la Carte).

Sot, në kohën e secular surge (ngritjes sekulare) humanizmi i thotë njeriut: “Ji vetvetja!” dhe “Thjesht, bëje!” (Just do it!), duke e zvogëluar çdo ditë në mënyrë eksponenciale numrin e atyre që duan të rikthejnë “mbretërinë e besimit”. Optimistët që dikur thonin “hapësira po risakralizohet”, se shoqëria po deshekularizohet, po duket se ua braktisin skenën analistëve defetistë të fesë që pohojnë se shumica e popullsisë po përvetësojnë qëllimet laike, duke krijuar “shoqëri të pas-fesë”, se i vetmi “arsenal” i kampit fetar është ndjesia se Zoti është në anën e tyre dhe se do të fitojnë shpërblimin maksimal në botën tjetër.

Përderisa brezat e mëparshëm përdornin terma si “respekt”, “etikë pune”, “vlera”, “parime morale”, “traditë”, brezi i ri përdor më shumë fjalë si “teknologji”, “muzikë”, “kulturë popullore”, “liri”, “tolerancë”, “më inteligjent”, “veshje”. Brezi i ri mendon se feja “është pengesë para dëshirave, kënaqësive dhe aspiratave, andaj po deizohet, agnosticiozohet.

Vazhdon…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.