ANALIZË: Integrimi i pasigurt në BE, investimet kapitale dhe rreziqet e jashtme, ekonomistët me vlerësim të ri për PBB-në dhe inflacionin

Inflacioni mbi 4%, rritja ekonomike pak mbi 3%. Edhe analistët ekonomikë i kanë “rishikuar” parashikimet për vitin 2026 – duke rritur pritjet për inflacionin dhe duke ulur ato për rritjen e PBB-së. Ekonomia vendase është e ekspozuar ndaj rreziqeve që burojnë nga faktorët e jashtëm, por situata rëndohet edhe më tej nga emigrimi dhe bllokimi i integrimeve evropiane, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Ekonomistët parashikojnë: Rritja ekonomike po zbehet, inflacioni po rritet

Këtë vit ekonomia pritet të shënojë një rritje prej 3,2%, vlerësojnë analistët ekonomikë në Anketën e re të BPM-së. Rreziku kryesor nga jashtë mbetet përkeqësimi i mjedisit të jashtëm dhe rritja e pasigurisë, të lidhura me konfliktin ushtarak në Lindjen e Mesme. Për më tepër, në rritjen e PBB-së ndikim të konsiderueshëm kanë edhe niveli i realizimit të projekteve infrastrukturore, kërkesa e dobët nga jashtë, si dhe pasiguria që lidhet me procesin e integrimit në BE.

“Problemet strukturore, veçanërisht zhvillimet në tregun e punës dhe emigrimi, si edhe pasiguria që lidhet me ecurinë e negociatave me BE-në, vazhdojnë të identifikohen si faktorë të mundshëm që kufizojnë rritjen ekonomike edhe në periudhën e ardhshme”, thuhet në Anketën e BPM-së.

Ndryshe nga parashikimi i ekonomistëve, të cilët vlerësojnë se PBB-ja do të rritet për 3,2%, Qeveria, me ribalancin e Buxhetit, ka projektuar që ekonomia këtë vit të shënojë një rritje prej 3,5%. Ndërsa rritja ekonomike po zbehet, parashikimet për presionet inflacioniste po rriten. Analistët vlerësojnë se ky vit do të përmbyllet me një normë inflacioni prej 4,2% dhe se inflacioni do të mbetet mbi nivelin 3% edhe gjatë vitit të ardhshëm.

“Norma mesatare e inflacionit do të arrijë në 4,2% në vitin 2026 dhe 3,4% në vitin 2027. Ata presin që norma mesatare e inflacionit të ngadalësohet edhe më tej dhe në vitin 2028 të bjerë në 2,9%. Edhe në këtë anketë, të anketuarit e veçojnë si shqetësim kryesor rritjen e pasigurisë që lidhet me zhvillimet në Lindjen e Mesme, e cila ndikon drejtpërdrejt në çmimet e naftës dhe të energjisë, si dhe në transmetimin e këtij ndikimi te kostot e transportit dhe të prodhimit” – thuhet në hulumtim, ku shtohet se:

“Kostot më të larta të energjisë dhe transportit do të ndikonin edhe në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera, gjë që do të çonte në presione më të forta inflacioniste, duke pasur parasysh varësinë e ekonomisë vendase nga importet”.

Qeveria dhe opozita me “optikë” të ndryshme për ekonominë

Në përpjekje për të “zbutur” inflacionin, Qeveria iu rikthye sërish uljes së akcizës për derivatet e naftës, pasi më parë Kuvendi miratoi zgjatjen e gjendjes së krizës për derivatet e naftës deri më 20 tetor. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, nga njëra anë kjo masë do të ulë presionet inflacioniste, ndërsa nga ana tjetër, përmes realizimit të investimeve kapitale, do të ruhet një rritje solide e PBB-së.

“Pres që edhe në tremujorin e dytë të kemi një rritje solide të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke pasur parasysh se në muajin prill sektori i ndërtimtarisë shënoi një rritje prej mbi 40%. Edhe tregtia po shënon rritje dyshifrore, ndërsa rritje kemi edhe në sektorin e turizmit. Praktikisht, në të gjithë sektorët po shënohen rezultate pozitive, pavarësisht, do të thosha, situatës sfiduese”, kryeministri.

Masa të vonuara, buxhet me probleme financiare, kështu opozita e vlerëson politikën ekonomike të Qeverisë.

“Investimet e huaja direkte janë ulur për mbi 60%, ndërsa për më pak se dy vjet shteti është ngarkuar me mbi 2,5 miliardë euro borxh. Rritja e re e çmimeve të karburanteve do të shkaktojë një valë të re rritjesh të çmimeve. Do të shtrenjtohen transporti, prodhimi dhe distribucioni, e bashkë me to edhe ushqimet dhe produktet e tjera bazë” – thonë nga LSDM-ja.

Akuza të ndërsjella edhe mes koalicioneve VLEN dhe BDI.

“Deri më tani janë realizuar rreth 308 projekte, gjë që paraqet një dallim të madh ndërmjet qeverisjes së koalicionit VLEN gjatë 24 muajve dhe qeverisjes së mëparshme të BDI-së për 24 vjet, kur nuk u realizuan shumica e investimeve kapitale në vetëqeverisjen lokale. Pjesë e këtyre investimeve janë Korridori 8, si dhe tashmë nënshkrimi i kontratës për autostradën që pritet të ndërtohet deri në Bllacë”, deklaroi zëvendëskryeministri Bekim Sali.

Sipas BDI-së, dy vjet pas premtimeve të mëdha të pushtetit, nuk është realizuar asgjë.

“Përgjigja është një dhe e vetme, arritjet nuk ekzistojnë. Ato ekzistojnë vetëm në programin zgjedhor të vitit 2024. Prandaj, emri që sot e përshkruan më së miri këtë grupim është emri që qytetarët tashmë ua kanë dhënë – ASGJË. Sepse, pas dy vjetësh në pushtet, rezultati është pikërisht ai: vetëm një asgjë”, kumtuan nga BDI-ja.

Sipas parashikimeve të rishikuara, ky vit pritet të përmbyllet me normë të rritjes ekonomike prej 3,5% dhe një normë inflacioni prej 4,5%.