Progresi ju nevojitet, pavarësisht nëse dëshironi t’i bashkoheni BE-së një ditë apo jo, porositi Weitz nga Shkupi
Deputeti austriak dhe raportuesi i përhershëm i PE-së për vendin, Thomas Waitz, theksoi se progresi i Maqedonisë është i nevojshëm që vendi të zhvillohet në një shoqëri moderne, demokratike dhe mirë të organizuar, pavarësisht nëse dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian një ditë apo jo, njofton Portalb.mk.
Waitz ishte një nga pjesëmarrësit e Forumit qytetar “Maqedonia e Veriut dhe ardhmëria e Evropës: Qytetarët në zemrën e zgjerimit të BE-së”, i organizuar nga Grupi për mbështetje të demokracisë dhe koordinim i zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, në bashkëpunim me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Ai theksoi se progresi i vendit nuk duhet të shihet ekskluzivisht përmes prizmës së anëtarësimit të tij në Bashkimin Evropian, por para së gjithash si një proces që duhet të sigurojë një shoqëri me moderne dhe demokratike, si dhe kushte më të mira jetese për qytetarët. Përndryshe, tha ai, qytetarët do ta kërkojnë jetën më të mirë ndokund tjetër.
Si tema të rëndësishme për të cilat, sipas tij, duhet të flitet hapur, ai veçoi mjedisin jetësor, cilësinë e ajrit, deponitë ilegale, riciklimin, stacionet e filtrimit, minierat dhe pylltarinë. Ai iu referua edhe sundimit të ligjit, duke e vlerësuar atë si një nga themelet e funksionimit të shtetit, si dhe proceseve demokratike dhe pjesëmarrjes së qytetarëve.
“Unë besoj se vetëm një vend që kujdeset për gjërat bazë – ajrin e pastër, ujin, për kushte të mira jetese, po ashtu ka edhe progres ekonomikisht. E gjithë kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik. Kjo është në çdo sistem që ju definon jetën e përditshme, kjo është gjithashtu edhe sundimi i ligjit, nëse ligji zbatohet për të gjithë në të njëjtën mënyrë apo varet nga ajo se sa jeni i pasur dhe nga vini. Dhe për këtë duhet të flasim”, vlerësoi Waitz.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili ishte një nga folësit, tha se vendi ka një përcaktim të qartë strategjik – anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
„Ky është përcaktim që ka mbështetje të gjerë në shoqërinë tonë dhe që duhet të jetë mbiatpartiak dhe afatgjatë. Mirëpo, rruga evropiane nuk mund të jetë e suksesshme nëse zhvillohet vetëm në institucione. Pikërisht për këtë arsye forume të këtilla janë të rëndësishme. Demokracia pjesëmarrëse nuk do të thotë që qytetarëve t’u kërkohet mendim vetëm gjatë periudhës zgjedhore. Ajo do të thotë që qytetarët të kenë vazhdimisht mundësi të marrin pjesë në krijimin e politikave, të parashtrojnë pyetje, të propozojnë zgjidhje dhe të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet. Kurse ne, si Kuvend, kemi një përgjegjësi të veçantë në këtë proces, sepse ne si deputetë jemi zëri i drejtpërdrejtë i qytetarëve. Dhe prandaj, unë shpesh theksoj, është e rëndësishme që edhe ne deputetë, por edhe funksionarët e tjerë të mbetemi në komunikim të përhershëm me qytetarët, të jemi në teren dhe nevojat e kërkesat e tyre t’i shndërrojmë në zgjidhje ligjore dhe ide“, tha Gashi.
Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.
- LEXO: Weitz në Kuvend: Lufta kundër korrupsionit nuk është vetëm kusht për BE-në, por investim në të ardhmen e shtetit
- LEXO: Marta Kos: Maqedonia duhet ta përmbushë premtimin dhe t’i përfshijë bullgarët në Kushtetutë
- LEXO: Rokas: Von der Leyen do ta vizitojë rajonin, shpresoj që vizita të jetë vendimtare për integrimin evropian të vendit
- LEXO: Filipçe: Ndryshimet kushtetuese mbeten kusht, mund të jemi të zemëruar me Evropën, por duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të marrim vendime të vështira