Dragi Rashkovski u lirua nga arresti shtëpiak me garanci prej 192 mijë euro

Ish-sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Dragi Rashkovski, nuk është më në arrest shtëpiak, pasi Këshilli Penal i Departamentit për krim të organizuar dhe korrupsion ia hoqi arrestin. Rashkovski ka dhënë garanci prej 192 mijë euro pasuri të patundshme, transmeton Portalb.mk.

“Këshilli Penal i Departamentit për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, duke vepruar me propozim për heqjen e masës – Arrest shtëpiak për të dënuarin D.R, ka marrë vendim me të cilin shfuqizohet masa e arrestit shtëpiak me garanci të caktuar në vlerë prej 11.868.762. denarë në patundshmëri. Bëhet fjalë për një vendim të pavlefshëm, për të cilin pas pranimit të ankesës nga prokurori kompetent dhe përfundimit të lëndës në afatin e përcaktuar ligjor, do të dorëzohet për veprim kompetent në gjykatën e shkallës së dytë”, thonë nga Gjykata Penale.

Rashkovski ishte në arrest shtëpiak për gati katër muaj. Ai u dënua për shpërdorim detyre dhe autorizim dhe pastrim parash. Aktgjykimi nuk është përfundimtar, ndërsa lënda ndodhet në Apel.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, më 6 krrik u shpall akgjykimi për rastin “Softueri”. Të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan nga tre deri në 8 vjet burg. I akuzuari kryesor, Dragi Rashkovski u dënua me 8 vjet burg. Të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan: Dragi Rashkovski – 8 vjet burg; Ivica Dimitrovski – 5 vjet; Igor Hristov – 5.5 vjet burg; Daniel Stançev – 4 vjet burg; Irena Ivanovska – 3.5 vjet burg; Igor Ivanovski – 3 vjet burg dhe Maja Siljanovska – 3 vjet burg.

Aktakuza për rastin “Softuerët” përfshin blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush. Aktakuza përfshin edhe pagesën e tarifave nga e cila sipas prokurorisë ka marrë pjesë edhe ish-sekretari i përgjithshëm. Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash. Me të akuzohen edhe gjashtë persona të tjerë: Ivica Dimitrovski, Igor Hristov, Daniel Stançev, Irena Ivanovska, Igor Ivanovski dhe Maja Siljanovska.