Më Mirë për Tetovën: Ndërtimi i objektit të ri të komunës kushton 13 milionë euro jo 28 siç e prezantuan, kjo është analiza

Pas bujës në opinion për studimin e fizibilitetit për partneritetin publiko-privat për ndërtimin e objektit të ri të Komunës së Tetovës i cili kap vlerën prej 28 milionë euro dhe dyshimeve për keqpërdorime financiare për shkak të lidhjeve afariste dhe familjare, Më Mirë për Tetovën ka dalë me analizë nga inxhinier të ndërtimit, sipas së cilës ndërtimi i këtij objekti kushton 13 milionë euro, pra rreth 15 milionë euro më pak se sa u prezantua, shkruan Portalb.mk.

Nga Më Mirë për Tetovën thonë sse tabela e përpiluar nga inxhinieri i ndërtimit ka marrë për bazë kuadraturën e prezentuar në fizibilitet për objektin kontestues dhe kalkulimi është i fryer në maksimum.

“Objekti përbëhet nga: kati -2: 4361m²; kati -1: 4361m²; përdhesa: 3396m²; kati 1: 3626m²; kati 2: 3671m²; kati 3: 3460m²; total: 22,875m². Ju mbetet juve inxhinier të ndërtimit ta kalkuloni dhe të vërtetoheni sa është tentativa për shit-vjedhje”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.

Foto: Më Mirë për Tetovën
Foto: Më Mirë për Tetovën

Më 14 tetor, Komuna e Tetovës e propozoi miratimin e “Studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ komercial për Komunën e Tetovës”, i cili shkaktoi paqartësi të mëdha dhe dyshime për keqpërdorime financiare, lidhje të afërta biznesore dhe dëm të interesit publik në favor të atij privat.

Komuna e Tetovës planifikon ndërtimin e një kompleksi të ri administrativ-komercial përmes partneritetit publiko-privat, me vlerë të parashikuar prej 28,5 milionë eurosh.

Objekti planifikohet të ndërtohet në lokacionin ku aktualisht ndodhet Njësia e Zjarrfikësve, në parcelën kadastrale 4711/1, KK Tetovë 2, me sipërfaqe prej rreth 6.768 metrash katrorë.

Studimi i fizibilitetit, i përgatitur gjatë muajit të fundit, analizon tri alternativa për realizimin e projektit, prej të cilave alternativa e tretë vlerësohet si më e favorshmja.

Varianti i propozuar si më i volitshëm parasheh që në tokën publike prej 6.768 metra katrorë ndërtohet kompleks objekti me sipërfaqe mbi tokë prej rreth 14.398 metra katrorë.

Sipas alternativës së tretë komuna kontribuon me tokën, objektin ekzistues dhe një pjesë të kompensimeve komunale, ndërsa në këmbim merr vetëm 15% të ndërtesës, rreth 2.158 metra katrorë. Për 45% të tjera rreth 6477 metra katrorë duhet të paguajë afërsisht rreth 7.7 milionë euro për ta blerë sërish nga investitori privat, ndërsa 40% do të mbetet pronë e përhershme e investitorit privat.

Fillimisht shuma totale e vlerësuar e investimit për ndërtimin e të gjithë objektit, apo përllogaritjet orientuese të punimeve dhe kostove shkojnë gjithsej në 28.500.000 euro.

Megjithatë nga tabela e paraqitur në studim ka mospërputhje, sepse shuma gjithsej nga 23 zërat e tabelës shkon në 24.550.000 euro. Pra janë paraqitur 3.950.000 euro më shumë se sa vlera reale. Ndërsa më pas nga përpiluesi u tha se ka pasur lëshim teknik.

Kritika nga opozita dhe qytetarët ka se edhe këto shifra janë të fryra, pasi kostoja e ndërtimit llogaritet miliona euro më pak se sa është e raportuar në studim.

Për më tepër lexo hulumtimin e plotë: