Prokuroria kërkon dënim me burg për Rashkovskin dhe ndalimin e të qenit profesor universitar

Prokurorja publike nga Prokuroria Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Ivana Trajçeva, kërkon që Rashkovski të dënohet me burg për rastin “Softuerët”, të akuzuarit të kompensojnë dëmin në shumë prej 18.794.137,00 denarë për përfitim nga Buxheti i Shtetit, dhe të dy profesorët universitarë (njëri prej tyre Dragi Rashkovski) duhet të dënohen me ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Prokuroria i propozoi gjykatës dënimin e të pandehurve me dënime në përputhje me krimet e kryera, të cilat do të prekin si planin e posaçëm ashtu edhe atë të përgjithshëm të parandalimit. Në të njëjtën kohë, prokurori publik sugjeroi që dy profesorët universitar të dënohen me ndalim të ushtrimit të profesionit, veprimtarisë apo detyrës, me arsyetimin se profesioni i profesorit është një nga ato profesione në të cilat qytetarët dhe shoqëria duhet të kenë siguri dhe besimi, dhe në këtë rast, dy të pandehurit, duke përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre, të fituara nga pozicioni i tyre, i kanë përdorur ato për kryerjen e krimeve.

Prokuroria ka sugjeruar që të pandehurit ta kompensojnë dëmin në vlerë të përgjithshme prej 18.794.137,00 denarë në favor të Buxhetit të Shtetit.

Prokuroria në fjalën përfundimtare theksoi se prokurori publik përmes analizës së të gjitha provave të paraqitura në tërësi i ka paraqitur ngjarjet që mbulon aktakuza në fjalë.

“Të katër procedurat e prokurimit publik për të cilat janë marrë vendime nga i pandehuri i parë janë zhvilluar në mënyrë të kundërligjshme dhe nëse kjo procedurë nuk do të ishte kryer, softueri, sistemi, kabinat dhe kamerat do të kishin mbetur përgjithmonë të harruara dhe paratë e qytetarëve do të janë tretur”, thuhet në deklaratë.

Sipas Prokurorisë, provat e paraqitura gjatë procedurës e vërtetojnë veprën me të cilën Rashkovski akuzohet se në mënyrë irracionale, joekonomike dhe joproduktive ka shpenzuar nga buxheti mbi 17 milionë denarë me qëllim të monetizimit të patentës dhe sistemit të tij. Më tej, thuhet, edhe pse secila nga procedurat e prokurimit publik është e ndryshme, në tri prej tyre të lidhura me operatorë të ndryshëm, vetëm një person juridik ka qenë i përshtatshëm dhe ai është i pandehuri i katërt në rastin që ka gëzuar besimin më të madh nga Rashkovski dhe te i cili kanë përfunduar me një pjesë të madhe të mjeteve.

Fjalët përfundimtare të një pjese të mbrojtjes janë caktuar për datën 25.05.2023 në orën 12.00.

Aktakuza për rastin “Softuerët” përfshin blerjen e dy softuerëve për kundërvajtje në komunikacion dhe për identifikim biometrik, të cilat sipas Prokurorisë nuk janë kërkuar dhe përdorur nga askush. Aktakuza përfshin edhe pagesën e tarifave nga e cila sipas prokurorisë ka marrë pjesë edhe ish-sekretari i përgjithshëm. Rashkovski ndiqet penalisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe larje parash. Me të akuzohen edhe gjashtë persona të tjerë: Ivica Dimitrovski, Igor Hristov, Daniel Stançev, Irena Ivanovska, Igor Ivanovski dhe Maja Siljanovska.