RMV, në mesnatë do të ndryshojë çmimi i dizelit

Nga sonte në pompat e benzinës në vend dizeli do të jetë më i lirë për dy denarë për litër, njoftoi Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE). Çmimi i derivateve të tjera të naftës nuk ndryshon, transmeton Portalb.mk.

Nga sonte në mesnatë Eurodizel BS do të shitet për 82 denarë për litër, ndërsa benzina me 95 oktane mbetet me të njëjtin çmim – 81,50 denarë për litër, kurse benzina me 98 oktan do të shitet me çmim identik prej 84 denarë. Mazuti ekstra i lehtë 1 (EL-1) do të kushtojë 82,50 denarë për litër.

Çmimet e referencës së derivateve të naftës në tregun botëror në krahasim me llogaritjen paraprake tregojnë rënie mesatare: te benzina për 0,508 për qind, te dizeli me 2,946 për qind, te vaji ekstra i lehtë për 2,379 për qind dhe te mazuti 1,858 për qind.