Doli në dritë libri “Dare”, Fatos Grubi përmes poezisë përshkroi gjendjet shpirtërore

Doli në dritë libri me poezi “Dare” me autor Fatos Grubi. Ky libër synon të frymëzojë lexuesin jo vetëm të përballet me errësirën e vet, por ta përqafojë atë, t’i ndiejë ndjenjat e veta në tërësi, përfshirë edhe ato të cilave u trembet. E inkurajon atë të kuptojë se frika është një humnerë, ndërsa dashuria është shtegu që zgjatet përtej kohës dhe hapësirës e shpie kudo, nëse vetëm guxojmë ta ndjekim, transmeton Portalb.mk.

Përmbledhja e tij e parë me poezi është një homazh për nënën e tij, ndërsa titulli mban nofkën dhe dorëshkrimin e saj. Fjala “Dare” në gjuhën angleze shtyn autorin “të guxojë” të ndajë shkrimet e tija më personale. Grubi përshkruan një gamë të gjendjeve shpirtërore, përgjatë periudhave të vetmisë dhe dashurisë, vajtimit dhe rindërtimit të vetes pas humbjes. Ai mishëron koncepte dhe debaton me to, shpërfill rregullat e realitetit dhe u drejtohet njerëzve që nuk mund të përgjigjen, ndonjëherë edhe vetë lexuesit.

Autori i librit Fatos Grubi për Portalb.mk tha se këtë libër me poezi i’a ka dedikuar nënës së tij të ndjerë.

“Libri “Dare” është një përmbledhje poezish, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Libri është dedikuar nënës time të ndjerë, që quhej Didare (e kishte nofkën Dare), ndaj edhe libri ka titullin e nofkës së saj. Poezitë në libër trajtojnë tema të ndryshme, izolimin dhe vetminë, dhimbjen dhe humbjen, si dhe dashurinë dhe shpresën, dhe se sa e rëndësishme është që kur shkaqet jashtë kontrollit sonë na çojnë në vende të errëta të jetës, të dimë se dashuria është gjithmonë me ne dhe një dritë e cila na kthen në rrugën e duhur”, tha Grubi.

Fotografi nga libri “Dare”. Foto: Fatos Grubi
Fotografi nga libri “Dare”. Foto: Fatos Grubi

Se sa është e vështirë për ti kushtuar krijime nënës Grubi edhe më tej shtoi..

“Është një temë e ndjeshme. Desha të shkruaj diçka me të cilën nëna ime do të mburrej. Poezitë që i kam shkruar për të, vërshojnë me emocion: dhimbje për faktin që nuk është me mua, mirënjohje e lumturi për gjithë ato vite që e kisha pranë vetes e për dashurinë që e jepte. Ashtu edhe do i përshkruaja poezitë për të: dashuri e shkruar”

Grubi edhe më tej shtoi se libri u mirëprit me shumë emocion nga publiku.

“U prit shumë mirë, lexuesit gjatë ngjarjes kishin mundësi të lexojnë disa nga poezitë, dhe thanë që ishin prekëse edhe shumë bukur të shkruara. Disa prej tyre blenë kopje edhe për nënat e tyre, e më pas më shkruan për të më treguar që libri u kishte pëlqyer shumë”, tha Grubi.

Fotografi nga libri “Dare”. Foto: Fatos Grubi
Fotografi nga libri “Dare”. Foto: Fatos Grubi

Se çfarë mund të presin dashamirët e fjalës së shkruar nga Grubi ai edhe më tej potencoi.

“Kam disa shkrime të reja, të cilat ende duhet kohë të përpunohen e të zbukurohen, e pastaj edhe t’u bëj vend në ndonjë libër të ardhshëm. Megjithatë tani për tani nuk kam ndonjë datë në mend se kur mund të jetë gati”, tha Grubi.

Fatos Grubi është poet nga Shkupi i cili ka më shumë se një dekadë që shkruan poezi. Ai ka punuar si mësimdhënës, përkthyes, dhe mes tjerash si gazetar por poezia e ka shoqëruar që nga fëmijëria, kur shkarraviste vargje dashurie për simpatitë e klasës.