Digjitalizimi në RMV gjatë vitit 2023: Sulmet kibernetike alarmuan për rëndësinë e integrimit në botën digjitale

Në këtë shekull, shtetet që nuk arrijnë të integrohen në kohë në botën digjitale dhe të kontribuojnë në zhvillimin e saj mbesin në një disavantazh të rrezikshëm në të gjitha sferat. Këtë Maqedonia e Veriut e kuptoi konkretisht gjatë vitit 2023, kur ra pre e sulmeve të shumta kibernetike. Kështu, edhe pse para gjysmës së vitit 2023 pat pilotime të disa projekteve që mundësonin digjitalizime të ndonjë shërbimi në nivel lokal, pas gjysmës së 2023 u dhanë përpjekje serioze për ta zhvilluar digjitalizimin, të shtytur edhe nga vërejtjet e Bashkimit Evropian. Portalb.mk në vijim ju sjell një pasqyrë të arritjeve të rëndësishme në këtë sferë gjatë këtij viti.

Digjitalizimi administratës dhe shërbimeve për qytetarët

Portali kryesor, nëpërmjet të cilit duhet të mundësohet digjitalizimi i administratës publike dhe ofrimi i shërbimeve online për qytetarët dhe bizneset, “e-uslugi.gov.mk“, përdoret shumë pak nga të dy palët. Ky problem ka qenë prezent prej në fillim dhe një vit pas pilotimit të platformës, Komisioni Evropian këshilloiinstitucionet shtetërore të angazhohen më shumë për ta shfrytëzuar atë. Megjithatë, në fund të vitit 2022 analizat e Portalb.mk treguan se jo vetëm që nuk është tejkaluar ky problem, por është edhe problemi që shërbimet nuk janë tërësisht elektronike. Në shumicën e shërbimeve është e përshkruar vetëm procedura, por që për ta marrë dokumentin patjetër qytetarë të shkojë në institucion me prani fizike.

Në takimin e fundit me gazetarët, ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, tha edhe ndërfaqja e ndërlikuar e portalit ua bën qytetarëve dhe institucioneve përdorimin e tij të vështirë.

“Qëllimi kryesor i MSHIA-së janë që të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve publike, e dini se po punohet në portalin nacional euslugi.mk, që të jetë inkluziv. Për fat të keq, sipas analizave tona një prej arsyeve kryesore pse shumë pak përdoren shërbimet digjitale nga qytetarët është për shkak të ndërveprimit të portalit i cili është shumë i rëndë dhe ja të them nuk është i lehtë për përdorim”, tha ai, duke shtuar se përveçse duhet të punohet për ta përmirësuar këtë, duhet gjithashtu të rritet numri i shërbimeve digjitale.

Për këtë të fundit ministri njoftoi se veçse është përfunduar digjitalizimi i 40 shërbimeve të reja.

“I digjitalizojmë 135 shërbime të reja, mund të ju informoj se 40 prej tyre tanimë janë mbaruar, ndërkaq të tjerat testohen që t’i shohim rezultatet. Nëse rezultatet tregojnë se janë mjaftueshëm mirë dhe në pajtueshmëri me performancat, të njëjtat do të jenë në produksion”, u përgjigj Aliu në pyetjen e gazetarit të Portalb.mk.

Hartimi i Ligjit për Agjenci Digjitale

Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme për Maqedoninë e Veriut, e cila sidomos gjatë këtij viti ka vuajtur nga sulmet kibernetike dhe rrëmujat e krijuara nëpër institucione si pasojë e mungesës së digjitalizimit, është miratimi i Ligjit për Sigurinë e Rrjeteve dhe Sistemeve të Informacionit dhe Transformimit Digjital nga ana e Qeverisë, me anë të të cilit do të mundësohet krijimi i një agjencie e cila do të merret me këto problematika.

Përgatitja e “terrenit” për hapjen e një agjencie të këtillë ka nisur që në shtator të vitit 2022, kur Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MShIA) planifikonte që deri në fund të vitit 2024 Maqedonia e Veriut të bëhet me Agjenci Digjitale.

prill të vitit 2023 erdhi lajmi i parë për atë se çfarë do të bëhet me agjencitë, ku ministri Aliu u zotua se për gjashtë muaj Maqedonia e Veriut do të ketë zgjidhje ligjore për themelimin e Agjencisë për Digjitalizim. Një projektligj për këtë temë u propozua thuajse dy muaj pas kësaj deklarate, mirëpo nga Qeveria u miratua më 8 dhjetor dhe momentalisht pret të shqyrtohet në Kuvend.

“Kjo zgjidhje ligjore parashikon themelimin e Agjencisë për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit dhe transformimit digjital në sektorin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përcaktohen masat për menaxhimin me rreziqet dhe krizat e sigurisë, definohen obligimet për njoftim dhe shkëmbimin e informacioneve që lidhen me sigurinë kibernetike, transformimin digjital të sektorit publik dhe rregullon edhe çështje të tjera që lidhen me rrjetet dhe sistemet e informacionit dhe transformimit digjital të sektorit publik”, tha ministri Aziri për projektligjin.

Agjencia, sipas paralajmërimit, do të ketë 4 shtylla:

  • Shtylla e sigurisë kibernetike;
  • Shtylla e infrastrukturës digjitale, nëpërmjet të cilës deri në vitin 2030 do të mundësohet që çdo qytetar i vendit të ketë qasje në internet të shpejtë;
  • Shtylla e trajnimit të qytetarëve përdorimin e shërbimeve elektronike;
  • Shtylla e koordinimit të Agjencisë me institucionet për përdorimin e softuerëve të ndryshëm.

Ka shumë gjëra që pritet të rregullohen me vënien në fuqi të projektligjit, një nga të cilat është rregullimi i punësimit dhe pagave të punonjësve të sektorit të Teknologjisë Informatike (TI). Pa marrë parasysh se ku këta individë punojnë, ata juridikisht do të jenë të punësuar në Agjencinë për Transformimin Digjital, kurse rrogat e tyre do të jetë sa rroga mesatare e punonjësve të TI-së në sektorin privat.

Gjithashtu në dhjetor, Maqedonia e Veriut nënshkroi Aktet Përfundimtare për marrjen e një pozicioni orbital në hapësirë. Kjo do të thotë që RMV në vitin 2024 pritet të lëshojë satelitin e vet në hapësirë, i cili do të përmirësojë jashtëzakonisht valët e internetit dhe ato celulare, por gjithashtu, do të mundësohet që në RMV të përdoret rrjeti 6G.

Sulme kibernetike ndaj institucioneve të RMV-së

Numri i sulmeve kibernetike në vitin 2023 u shumëfishua aq shumë, saqë edhe Qeveria rriti investimet për trajtimin dhe parandalimin e tyre. Ndër rastet më të theksuara është ai i Fondit të Sigurimit Shëndetësor (FSSH), i cili ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit. Nga FSSH deklaruan se sipas analizës së ekipeve teknike të ekspertëve, gjatë sulmit kibernetik nuk ka pasur vjedhje të të dhënave, mirëpo ata nuk arritën të rimarrin kontrollin deri më 20 shkurt dhe atë vetëm pjesërisht. Si pasojë, punonjësit e shëndetësisë nuk i morën në kohë rrogat e janarit dhe as që dihej se kur dhe si do të paguhen, gjë që i nxiti të paralajmërojnë protestë nëqoftëse shteti nuk gjen zgjidhje.

Nga fundi i marsit, ekspertët konstatuan se këto sulme kibernetike me shumë gjasa vijnë nga Rusia, duke qenë se në të njëjtën javë kur Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të Maqedonisë së Veriut ishte nën sulm kibernetik, për të cilin kryeministri Dimitar Kovacevski tha se ishte një sulm ransomware, domethënë një sulm në të cilin kërkohet një shpërblim për të lejuar përsëri qasjen në të dhënat e koduara, BBC raportoi për shtatë rusë të sanksionuar për sulme të tilla të ngjashme në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Situata u bë më serioze kur filluan të sulmohen jo vetëm kompanitë ose institucionet, por edhe ministritë, sidomos Ministria e Punëve të Brendshme, pas sulmit të së cilës NATO dërgoi një delegacion të nivelit të lartë në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar vendin të përballet me pasojat e sulmeve hibride.

Investimet e para në inteligjencë artificiale

Këtë vit Maqedonia e Veriut bëri hapin e parë në sferën e inteligjencës artificiale, me krijimin e asistentit të parë digjital në sektorin publik, “ADA”. E dizajnuar për nevojat e programeve të ndihmës shtetërore, “ADA” është në dispozicion 24/7 dhe mund t’ju përgjigjet të gjitha pyetjeve të shpeshta në lidhje me programet e ndihmës shtetërore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky model i inteligjencës artificiale u lëshua në përdorim 2 muaj më vonë.

Pas një periudhe joaktiviteti në këtë sferë, më 19 dhjetor Fondacioni Metamorfozis lajmëroi se po fillon procesin e formimit të Koalicionit për Inteligjencë Artificiale (IA) të Përgjegjshme, i cili do të përfshijë jo vetëm organizata joqeveritare, por edhe ekspertë nga sfera akademike dhe ekspertë nga sektori i biznesit, që, sipas drejtorit ekzekutiv Bardhyl Jashari, “të jemi të sigurt se në formësimin e të ardhmes tonë janë të përfshirë të gjithë”.

Për sa i përket asaj që do të ndërmarrë shteti, ministri Aliu në konferencën e 25 dhjetorit konfirmoi se pasi të formohet Agjencia për Digjitalizim, ajo do të merret intenzivisht me koordinimin e implementimit dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në RMV.

Digjitalizimi i arsimit, me hapa të ngadaltë

Ndonëse në krahasim me vitin e kaluar, këtë vit ka pasur arritje të rëndësishme në digjitalizim, nuk mund të anashkalohet fakti se përmirësimi i arsimit nëpërmjet teknologjisë është vazhdimisht në fund të listës së prioriteteve të shtetit për sa i përket investimeve. MASH në vitin 2022 premtoi ndër të tjerash një sistem që do t’u mundësojë maturantëve që regjistrimin në fakultet ta bëjnë online, një ditar elektronik i përmirësuar dhe më funksional, një aplikacion celular për e-ditar, si dhe dëftesa elektronike, por në 2023 heshti për këtë çështje.

Digjitalizimi i institucioneve të arsimit është realizuar ku po e ku jo, shkollat e mesme që dy vite mundësojnë aplikimin në formë elektronike por vetëm si një aplikim shtesë përpos atij manual, kurse studentët ankohen se procedurat administrative në fakultete, madje edhe regjistrimi, bëhen në letër.

Me mbështetje financiare nga BE, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) në mars mundësoi sistem për shërbimet elektronike me anë të të cilit do të bëhej përcjellja e karrierës së nxënësve pas përfundimit të shkollës së mesme ose profesionale, por prej atëherë nuk ka më ndonjë të re për këtë çështje.

Çka në vitin 2024?

Maqedonia e Veriut ka një histori të “punëve pa plan” ku, jo vetëm në sferën e digjitalizimit, por kryesisht janë nisur aktivitete pa u menduar mirë, ose janë dhënë premtime pa u llogaritur se si do të realizohen ato. Portalb.mk ka hulumtuar shumë raste të këtilla, duke u nisur nga projekti “Mirë se erdhe bebe”, Platforma e interoperabilitetit, digjitalizimi i institucioneve individuale por pa menduar sistem të përbashkët për shkëmbimin e të dhënave, e ndoshta më mirë për këtë flet fakti se në raportin e fundit të Komisionit Evropian, rekomandimet për transformimin digjital të RMV mbeten kryesisht ato të njëjtat nga viti i kaluar.

një sondazh të realizuar nga IPIS për atë se sa funksionale janë shërbimet digjitale në RMV për nxjerrjen e dokumenteve, 35% e të anketuarve deklaruan se sot nuk është as më e lehtë dhe as më e vështirë marrja e një dokumenti në krahasim me kushtet e pesë viteve më parë, 30,3% deklaruan se sot dokumentet dhe shërbimet administrative janë më të lehta për t’u marrë dhe 25,7% deklaruan se janë më të vështira për tu marrë.

Kështu, edhe pse është e sigurt që do të vazhdojnë përpjekjet për transformim digjital, sidomos nëse duam të integrohemi në Bashkimin Evropian, suksesi i tyre mbetet një lojë fati.