Aliu: Ligji për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative do të ofrojë nivel të lartë të sigurisë

Ligji do të sigurojë nivel të lartë sigurie të sistemeve të rrjetit dhe informacionit, ndërtimin dhe zgjerimin e infrastrukturës IT, gjegjësisht transformim digjital më efikas dhe efektiv të sektorit publik, shkallë të lartë të qasshmërisë për të siguruar zhvillimin e zgjidhjeve softuerike inovative, si dhe mundësinë e sigurimit të trajnimeve shumë të rëndësishme dhe të nevojshme për sigurinë kibernetike dhe aftësitë digjitale për të punësuarit në sektorit publik, tha ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, me rastin e debatit publik të sotëm për këtë Projektligj, transmeton Portalb.mk.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është ndër vendet e para në rajon dhe më gjerë, i cili ka transpozuar plotësisht Direktivën NIS 2 nga BE-ja në fushën e sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve të informacionit. Grupi i punës i përbërë nga ekspertë të lartë përgatiti propozim ligjin për një afat shumë të shkurtër kohor, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme pasi që në shtetin tonë nuk ekziston rregullim i duhur ligjor, por ka nevojë edhe për transpozim të direktivës evropiane në lidhje me masat për nivelin e lartë të përbashkët të sigurisë kibernetike”, tha Aliu.

Ai falënderoi anëtarët e Grupit të Punës ndërdepartamental dhe ndërinstitucional përgjegjëse për përgatitjen e këtij ligji, si dhe të gjithë veprimtarët aktivë që kontribuojnë për një zgjidhje cilësore ligjore dhe përmirësimin e tekstit të ligjit, të publikuar në ENER.

Ai theksoi se një nga qëllimet kryesore të këtij ligji është transformimi digjital i sektorit publik, me të cilin do të parashikohet transformim, gjegjësisht kalim nga një infrastrukturë digjitale të shpërndarë në një qasje të centralizuar në cloud-in e Qeverisë, që do të krijohet në afat prej 24 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji

“Ndër të tjera, me këtë ligj parashikohet krijimi i Agjencisë për sigurinë e sistemeve të rrjetit dhe sistemeve të informacionit dhe transformimit digjital, struktura e së cilës është në pajtim me strukturën e organit rregullator ENISA në Bashkimin Evropian. Agjencia do të jetë kompetente për menaxhimin dhe koordinimin e procesit të transformimit digjital të sektorit publik. Përveç kësaj kompetence, sipas Direktivës NIS nga BE-ja, Agjencia do të jetë organi kompetent për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit në vend”, tha ministri.