Maqedonia e Veriut ka progres të kufizuar në transformimin digjital, KE kërkon që të rritet siguria kibernetike

Kapitulli 10 – Transformimi digjital dhe media, nuk ndryshon shumë nga kapitujt tjerë sa i përket progresit. Vendi është vlerësuar mesatarisht i përgatitur në këtë fushë në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Gjatë periudhës raportuese theksohet se është shënuar progres i kufizuar, i cili konsiston në rritje të lehtë të numrit të shërbimeve elektronike të ofruara për qytetarët dhe bizneset. Rekomandime t të reja nuk ka, që do të thotë se mbeten të vlefshme ato të vitit të kaluar, raporton Portalb.mk.

Si progres në këtë fushë është përmendur miratimi i shumë-kërkuar i Ligji për mediat audio-vizuale, i cili më në fund, në korrik të këtij viti u ndryshua në mënyrë që të përafrohet me Direktivën e BE-së për shërbimet mediatike audiovizive të vitit 2018.

Rekomandimet e vitit të kaluar mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm vendi duhet:

  • të finalizojë dhe miratojë strategjinë afatgjatë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK); finalizimi dhe miratimi i strategjisë kombëtare të sigurisë kibernetike për 2023-2027; harmonizojë legjislacionin kombëtar me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike, Direktivën e BE-së për reduktimin e kostos me brez të gjerë; Direktiva e BE-së për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve të informacionit (Direktiva NIS 2) dhe kutinë e veglave 5G;
  • të forcojë pavarësinë dhe kapacitetin e rregullatorit të medias, Transmetuesit të Shërbimit Publik dhe rregullatorit të komunikimit elektronik;
  • të përmirësojë funksionimin e numrit të urgjencës 112 duke siguruar burime të përshtatshme njerëzore dhe përmirësimin e komunikimit ndërmjet shërbimeve të urgjencës.

“Autoritetet vazhduan të kryejnë aktivitete të përfshira në strategjinë kombëtare të sigurisë kibernetike 2018-2022. Megjithatë, ka nevojë për një koordinim dhe bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë strategjinë kombëtare të sigurisë kibernetike për 2023-2027. Shërbimet evropiane të numrit të urgjencës 112 rritën kapacitetin e tyre, por komunikimi ndërmjet shërbimeve të urgjencës dhe burimeve njerëzore ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm”, thuhet në raport.

Raporti kritikon se të dhënat e ndara për aksesin në internet sipas shkollave, spitaleve, ndërmarrjeve etj, nuk grumbullohen nga Agjencia për Komunikime Elektronike.

“Nuk është bërë përparim në përafrimin e kornizës ligjore për komunikimet elektronike me acquisin e BE-së. Zyra e Kompetencës së Broadband-it publikon raporte çdo dy vjet mbi zhvillimin e brezit të gjerë në vend dhe zbatimin e Planit Kombëtar Operacional të Broadband. Autoritetet duhet të përafrojnë legjislacionin kombëtar me Direktivën e BE-së për Reduktimin e Kostos me brez të gjerë”, theksohet në raportin e KE-së.

Foto nga ArtPhoto_studio / Freepik
Foto nga ArtPhoto_studio / Freepik

Përafrimi i legjislacionit kombëtar me Rregulloren e BE-së për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besimit për transaksionet elektronike në tregun e brendshëm (Rregullorja eIDAS) u vonua më tej. Përafrimi me Aktet e Shërbimeve Digjitale dhe Aktin e Tregjeve Digjitale duhet të rritet, për të ofruar parashikueshmëri për komunitetin e biznesit.

Përsa i përket transformimit digjital, strategjia afatgjatë e teknologjive të informacionit dhe komunikimit për 2021-2026 nuk është miratuar. Aktivitetet e strategjisë për zhvillimin e aftësive digjitale duhet të ndërtohen dhe të mbështeten me masa specifike, theksohet në raport.

Në raport nuk kanë mbetur pa u përmendur as incidentet e lidhura me kibernetikën, duke nënvizuar se u raportuan në 145 subjekte si institucionet shtetërore, bankat, shëndetësia, energjia, transporti dhe organizatat e komunikimit.

“Nevojitet koordinim dhe bashkëpunim ndërinstitucional më i mirë për sigurinë kibernetike dhe për forcimin e kapaciteteve të Këshillit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike. Institucionet shtetërore duhet të forcojnë më tej kapacitetin dhe infrastrukturën e tyre kibernetike”, thekson raporti.

Kërkohet që Ministria e Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës të forcojë kapacitetet e saj për të nxitur transformimin digjital dhe reformat në media. Duhet të sigurohet pavarësia e plotë e rregullatorit për komunikimet elektronike.

“Për modernizimin dhe digjitalizimin e sektorit publik, nevojiten akoma më shumë përpjekje dhe bashkëpunim më të mirë ndërmjet institucioneve. Cilësia e të dhënave në regjistrin e popullsisë duhet të përmirësohet dhe të verifikohet vazhdimisht me regjistrat e tjerë. Numri i shërbimeve digjitale të ofruara përmes e-portalit qeveritar mbetet modest, 392, kryesisht i përbërë nga shërbime që kërkohen dhe përdoren rrallë. Institucionet shtetërore duhet të sigurojnë bashkëpunim më të mirë në avancimin e digjitalizimit të qeverisë 96.940 përdorues janë regjistruar në e-portalin kombëtar”, thuhet në raportin e KE-së.

Për sa i përket tregtisë elektronike, blerjet online janë rritur. Për performancën statistikore dhe konkurrencën digjitale, mbledhja e të dhënave bazuar në treguesit e Indeksit të Ekonomisë dhe Shoqërisë Digjitale (DESI) duhet të përmirësohet.

Kuvendi edhe njëherë është kritikuar që nuk ka emëruar anëtarë të rinj të rregullatorit të medias dhe këshillave të transmetuesit publik, pavarësisht se kjo ishte parakusht për përshpejtimin e reformave në media.

“Strategjia kombëtare dhe plani i veprimit për ndërtimin e elasticitetit dhe përballjen me kërcënimet hibride (2021-2025) përfshin masa për të adresuar dezinformimin dhe kërcënimet hibride. Megjithatë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin janë të kufizuara. Sektori audio-vizual vazhdoi të përfitonte nga pjesëmarrja e vendit në MEDIA dhe në fushat ndërsektoriale të programit Evropa Krijuese”, thuhet në raport.

Kujtojmë se zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, ka ngecur nga mos-krijimi i shumicës së dy të tretave në Parlamentin e Maqedonisë. Zgjedhja zvarritet tashmë tre vite, për faktin se dy partitë maqedonase nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët. Numrat në Kuvend, vendit do t’i duhen për shumë reforma, të cilat duhet bërë sa më parë, në mënyrë që vendi të plotësojë kushtet për anëtarësim të plotë në BE.

Edhe në raportin e viti 2022, KE  nënvizoi se procesi i reformës në RTVM pengohet nga vonesa e këtyre emërimeve.

“Procesi i reformës së transmetuesit publik, në përputhje me strategjinë e tij pesëvjeçare të zhvillimit, kufizohet nga vonesat në emërimin e anëtarëve të këshillit të tij programues. Këshilli i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele duhet të zgjidhet”, thuhet në raportit e vitit 2022.

Komisioni Evropian më 8 nëntor e publikoi Raportin e progresit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Situata me luftën kundër korrupsionit në Maqedoninë e Veriut është vlerësuar pa asnjë përparim. Korrupsioni vazhdon të mbetet i përhapur në shumë fusha. Lidhur me ndryshimet e Kodit Penal thuhet se pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla. “Kjo është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet tekstualisht në raport.