Paralajmërimet për sulme të hakerëve në sektorin e policisë, MPB: Me këto kërcënime të merret shteti

Para dy muajsh, Maqedonia e Veriut pati paralajmërime për sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha në sektorin e policisë në Maqedoninë e Veriut dhe atë të inteligjencës. Portalb.mk, pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme për qarkullimin dhe saktësinë e informacioneve të tilla, nga ku nuk i konfirmuan dhe as i mohuan këto paralajmërime, por shkurt thanë se kërcënimet që vijnë nga jashtë janë vetëm përgjegjësi e shtetit.

“Ju informojmë se sfidat dhe kërcënimet që vijnë nga vendet e tjera janë përgjegjësi e shtetit dhe jo e sigurisë publike”, thanë nga MPB.

Ministria e Punëve të Brendshme, dhe institucionet tjera, janë të pafuqishme karshi sfidave të këtilla, madje edhe të fushës së sigurisë publike, dhe kjo u dëshmua në kërcënimet që ndodhën nga tetori i vitit të kaluar, kur kishte denoncime për bomba në shkolla dhe institucione publike e qendra tregtare. Asnjë rast nuk arriti të zbardhë MPB-ja, duke lënë shumë pikëpyetje mbi autorët e terrorizimit të fëmijëve dhe qytetarëve.

Këto situata, detyruan NATO-n, që më 7 mars 2023 të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar vendin të përballet me pasojat e sulmeve të fundit hibride.

I kryesuar nga James Appathurai, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s për Sfidat e Sigurisë emergjente, ekipi i ekspertëve do të ndihmojë homologët nga Maqedonia e Veriut të vlerësojnë sulmet e fundit hibride, të cilat përfshinin një varg kërcënimesh me bomba dhe sulme kibernetike, dhe të diskutojnë mbështetjen e mëtejshme të NATO-s.

“Maqedonia e Veriut po përballet me një sulm hibrid të qëllimshëm, të qëndrueshëm dhe cinik. Por si anëtare e NATO-s, ajo nuk po përballet vetë me këtë sfidë, por si pjesë e një familjeje demokracish që qëndrojnë së bashku dhe mbështesin njëra-tjetrën”, tha Appathurai pas bisedimeve me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Në analizën e Institutit Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES), publikuar në maj të këtij viti, thuhej se vendi do të përfshihet nga një valë e re sfidash dhe kërcënimesh për shkak të pozitës së saj gjeopolitike dhe gjeostrategjike, Maqedonia e Veriut është në udhëkryq të krimeve rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe të interesave të ndryshme.  i cili po pritet, përfshin edhe një nga shërbimet kryesore të inteligjencës në rajon, i cili mbështetet dhe ndihmohet nga anëtarë të partisë opozitare VMRO-DPMNE, por edhe nga një pjesë e strukturave qeverisëse, madje edhe disa zyrtarë të LSDM dhe/ose individë të mbështetur nga partia në pushtet LSDM, thuhet

“Si rezultat, Ministria e Punëve të Brendshme dhe shërbimet e sigurisë dhe zbulimit po investojnë përpjekje të mëdha për të luftuar krimin (e organizuar) dhe korrupsionin. Për më tepër, përpjekjet e tyre janë gjithashtu pengesa më e madhe për migrantët që aspirojnë të kalojnë nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut për të arritur në BE. Prandaj, Maqedonia e Veriut po e mbron BE-në nga emigrantët kryesisht përmes përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në analizë.

Zbatimi i operacionit sekret të fshehtë të koduar “Rösselsprung”, i cili koordinohet nga Budapesti, sipas IFIMES, ende përbën një kërcënim dhe rrezik të lartë sigurie. Qëllimi kryesor i operacionit është rrëzimi i qeverisë ekzistuese dhe kthimi i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski (VMRO-DPMNE) në Maqedoninë e Veriut. Prandaj, është e rëndësishme që autoritetet maqedonase, së bashku me partnerët dhe aleatët nga BE dhe SHBA, të insistojnë me Hungarinë për ekstradimin zyrtar të Gruevskit në Maqedoninë e Veriut.

“Destabilizimi i shtetit është intensifikuar përmes gjenerimit të skandaleve të shumta. Më shumë se 160 portale mediatike që prodhojnë lajme të rreme dhe skandale janë zbuluar dhe lokalizuar. Kompania që menaxhon faqet e internetit që mbështesin partinë opozitare VMRO-DPMNE është e lidhur me shërbimin e transmetimit publik hungarez Magyar Televizo (MTV), i cili favorizon partinë në pushtet Fidesz të kryesuar nga kryeministri hungarez Viktor Orbán. Fokusi i operacionit të inteligjencës Rösselsprung është ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski (LSDM), sepse qëllimi është që patjetër të lahen hesapet me të. Prandaj, parashikohet sulmi më i madh i sigurisë-zbulimit ndaj Maqedonisë së Veriut dhe ministrit Spasovski”, thuhet në analizë.

Ministri i Brendshëm i RMV-së, Oliver Spasovski/Foto: Facebook
Ministri i Brendshëm i RMV-së, Oliver Spasovski/Foto: Facebook

Që nga fillimi i punës së Rösselsprung, sipas IFIMES, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski ka qenë objektivi kryesor, si një lloj hakmarrjeje për punën e tij.

“Ministri Spasovski ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues-juridik dhe të sistemit policor-gjyqësor të vendit. Sektori i sigurisë-inteligjencës dhe policisë në Maqedoninë e Veriut do të përballet me sfida, kërcënime dhe rreziqe të mëdha, të cilat fatkeqësisht vijnë nga disa vende anëtare të BE-së dhe NATO-s. Sulmi i tyre i fundit, i cili po pritet, përfshin edhe një nga shërbimet kryesore të inteligjencës në rajon, i cili mbështetet dhe ndihmohet nga anëtarë të partisë opozitare VMRO-DPMNE, por edhe nga një pjesë e strukturave qeverisëse, madje edhe disa zyrtarë të LSDM dhe/ose individë të mbështetur nga partia në pushtet LSDM”, shkruan IFIMES.

Analistët, sipas analizës, besojnë se është një pikë shqetësuese fakti që aleanca e NATO-s, por edhe BE-ja dhe SHBA-ja, tolerojnë veprime të tilla të shërbimeve të sigurisë dhe zbulimit të vendeve të tyre anëtare në Maqedoninë e Veriut. Veçanërisht pasi veprime të tilla nuk synojnë vetëm interesat kombëtare të një vendi anëtar sovran, por edhe kundër interesave të vetë NATO-s.

“Në pritje të sulmit më të madh të sigurisë dhe inteligjencës ndaj Maqedonisë së Veriut, i cili mund të përbëjë një moment historik të sigurisë, është e nevojshme të sigurohet mbështetja dhe ndihma adekuate nga vendet partnere dhe aleatët, të rritet mbrojtja fizike e institucioneve kryesore shtetërore dhe bartësve të funksioneve kryesore publike, veçanërisht ministri Spasovski, i cili është propozuesi kryesor i aktiviteteve për shtypjen e operacionit të inteligjencës Rösselsprung dhe veçanërisht të ndikimit rus dhe kinez. Është thelbësore të parandalohen sulmet duke ndërmarrë aktivitete që variojnë nga parandalimi në sulm, gjë që autoritetet e Maqedonisë së Veriut duhet ta koordinojnë me aleatët dhe partnerët e tyre. NATO dhe BE duhet ta ndihmojnë këtë vend premtues evropian që të avancojë në procesin e negociatave dhe të vazhdojë të jetë një promotor dhe mbrojtës i vlerave dhe perspektivave evropiane në rajon. Sulmet kundër Maqedonisë së Veriut po ndodhin nën hijen dhe sfondin e luftës në Ukrainë, duke e bërë atë edhe më të rrezikshme.”, thuhet në analizën e IFIMES.

Ministri Spasovski një muaj më parë, pati deklaruar se “gjendja e sigurisë në vend është stabile, dhe MPB-ja me sukses po e kryen punën e saj për të garantuar sigurinë e çdo qytetari në vendin tonë”. Sot, sipas tij, Republika e Maqedonisë së Veriut është në gjendje të përdorë mësimet e nxjerra, të bashkëpunojë, si dhe të kontribuojë në të gjitha aktivitetet relevante të BE-së dhe NATO-s në lidhje me kërcënimet hibride. Ai theksoi se në nivel shtetëror është themeluar Këshilli Nacional për Siguri Kibernetike sipas standardeve më të fundit të NATO-s, i përbërë nga anëtarë nga disa institucione relevante në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Aktualisht po zbatohet edhe Strategjia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike 2018 – 2022, e cila është zhvilluar në përputhje me Strategjinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike.

Kujtojmë se, nga 26 tetori i vitit 2022 në RMV disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave në vend është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Krahas shkollave të mesme dhe fillore, ka pasur edhe raportime anonime për bomba të vendosura edhe në institucione dhe qendra tregtare.  Numri më i madh i kërcënimeve të rreme ka ndodhur në shkurt – madje 439, gjegjësisht vetëm në pesë ditë të javës së punës nuk ka pasur kërcënim me bombë. Në nëntor ka pasur 30 kërcënime, në dhjetor 272, kurse më 1 mars të këtij viti është arritur rekordi – madje 120 shkolla dhe institucione të tjera kanë marrë kërcënim të rremë brenda një dite se është vendosur bombë.

Ndërkohë, sistemi i FSSh-së ishte i padisponueshëm nga 7 shkurti, për dy javë të plota.