Azir Aliu: RMV prej sot mund të lëshojë satelitin e vet për telekomunikim, lirohet hapësirë për rrjetin 6G

Maqedonia e Veriut sot nënshkroi Aktet Përfundimtare për marrjen e një pozicioni orbital në hapësirë, tani shteti mund të lëshojë satelitin e vet, që do t’i përmirësojë jashtëzakonisht shërbimet e rrjetit celular, internetit, sigurinë dhe shpejtësinë e transmetimit të të dhënave në përgjithësi. Kjo arritje mundëson edhe përparime teknologjike, si mundësimi i rrjetit 6G në Maqedoninë e Veriut, shkruan Portalb.mk.

Sot Maqedonia e Veriut nënshkroi Aktet Përfundimtare për marrjen e një pozicioni orbital në kuadër të Konferencës Botërore të Radiokomunikacionit të ITU-së (WRC-23). Sipas ministrit të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, Aktet Përfundimtare përcaktojnë mënyrën e përdorimit të përbashkët të spektrit të radiofrekuencave dhe orbitës satelitore.

“Pozicioni ynë orbital është i sigurt që nga sot”, shkruan në njoftim, “hapi tjetër është lansimi i Satelitit!”

Arritja e dytë për vendin tonë në konferencë është Dividenda Digjitale 3, me të cilën lirohet hapësira e frekuencave për gjeneratën e gjashtë të rrjeteve celulare (6G) në brezat e frekuencave më të ulëta.

Konferenca Botërore e Radiokomunikacionit (WRC) mbahet çdo tre deri në katër vite për të rishikuar dhe, nëse është e nevojshme, për të shqyrtuar Radio Rregulloret, traktatin ndërkombëtar që rregullon përdorimin e spektrit të radio-frekuencave dhe orbitat gjeostacionare-satelitore dhe jogjeostacionare-satelitore. Rishikimet bëhen në bazë të një agjende të përcaktuar nga Këshilli Unionit Internacional të Telekomunikimeve, i cili merr parasysh rekomandimet e bëra nga konferencat e mëparshme botërore të radiokomunikacionit.