Fondacioni Metamorfozis po krijon një koalicion për inteligjencë artificiale të përgjegjshme (Galeri)

Fondacioni Metamorfozis po fillon procesin e formimit të Koalicionit për inteligjencë artificiale (IA) të përgjegjshme, i cili duhet të bashkojë aktorë nga më shumë sektorë, tha Bardhyl Jashari, drejtor ekzekutiv i Fondacionit, në mbyllje të edicionit të sivjetëm të Konferencës Ndërkombëtare “e-Shoqëria.mk”, të cilën Metamorfozis e organizoi për të 19-n herë, transmeton Portalb.mk.

Siç shpjegoi Jashari në fund të konferencës që u mbajt në Shkup, koalicioni duhet të përfshijë jo vetëm organizata joqeveritare, por edhe ekspertë nga sfera akademike, ekspertë nga sektori i biznesit “që të jemi të sigurt se në formësimin e të ardhmes tonë janë të përfshirë që të gjithë, sepse ne themi se IA po formëson të ardhmen tonë.”

“Ne e dimë se IA është një gjë komplekse, ndërsa ajo që është e rëndësishme është se IA nuk është thjesht kodim ose algoritme, por më së shumti është sfidë për ne në sektorin joqeveritar që të angazhohemi për të siguruar që IA do të përdoret në mënyrë të përgjegjshme, për ta përfshirë të gjithë kreativitetin tonë, për të nxitur inovacion…”, tha Jashari.

Ai tha se nuk duhet vetëm të mendohet nëse IA mund t’i shkaktojë dëm njerëzimin dhe se si të reagojmë ndaj kësaj, por që në start të krijohen rregulla të qarta për atë se si duhet të zhvillohet inteligjenca artificiale.

“Çështja nuk është nëse IA do të na shkaktojë dëm dhe si t’i parandalojmë efektet e tilla të dëmshme të IA, por që në start të sigurojmë që ajo të mos na dëmtojë dhe ta përdorim atë në mënyrën më të mirë të mundshme për kreativitetin dhe inovacionet tona dhe parimet tona etike të mveshen në këtë të ardhme. Të gjithë ne jemi përgjegjës dhe të gjithë ne duhet të sigurohemi që ta bëjmë të mundur këtë”, tha Jashari.

Bardhyl Jashari

Duke komentuar seancat e Konferencës së 19 Ndërkombëtare të Fondacionit Metamorfozis e cila u mbajt sot, e tema e së cilës ishte “Inteligjenca artificiale dhe të drejtat e njeriut: Gjetja e ekuilibrit të duhur midis inovacionit dhe përgjegjësisë”, Jashari u ndal në veçanti në problemin e teknofobisë, duke e theksuar atë si një fenomen që duhet të eliminohet, ndërsa për ta arritur këtë nevojiten njohuri dhe hapa të përgjegjshëm për t’i vendosur kufijtë në kohë.

“Nuk dua të flas për IA apo ndonjë teknologji si për diçka të rrezikshme dhe të dëmshme, ne nuk duam të përhapim teknofobi. Ajo që duhet bërë është të jemi të përgjegjshëm dhe të mendojmë se si do ta zhvillojmë dhe si do ta zbatojmë dhe si do ta përdorim atë. Kjo është diçka që ne si organizatë jemi përpjekur ta bëjmë që nga themelimi ynë në vitin 2004”, tha Jashari.

Gjatë hartimit të kornizave dhe masave për përdorimin sa më të mirë të IA duhet pasur kujdes edhe për transparencën, theksoi ai.

“Transparenca është e domosdoshme në disa nivele. Niveli i parë sigurisht që lidhet me transparencën e algoritmeve, që është një pjesë shumë e vështirë, sepse kemi sektorin privat dhe të drejtën e autorit dhe shumë çështje të tjera me prokurimin e mjeteve të IA. Për këtë duhet të kemi kujdes të gjitha ne organizatat e shoqërisë civile që punojmë në fushën e transparencës dhe prokurimit publik”, tha Jashari, duke rikujtuar se duhet të jemi veçanërisht vigjilent për faktin se, për fat të keq, inteligjenca artificiale tani shpesh keqpërdoret për përhapjen e dezinformatave.

Konferenca “E-Shoqëri”, foto nga paneli “Etika në dizajn: Ndërtimi i zgjidhjeve teknologjike gjithëpërfshirëse dhe jondërhyrëse”.Foto nga Vanço Xhambaski
Konferenca “E-Shoqëri”, foto nga paneli “Etika në dizajn: Ndërtimi i zgjidhjeve teknologjike gjithëpërfshirëse dhe jondërhyrëse”.Foto nga Vanço Xhambaski

“Dhe e gjithë kjo kërkon shumë punë, jo vetëm nga vërtetuesit e fakteve, por edhe nga aktorët e tjerë që kanë të bëjnë me rregullimin e IA në çfarëdo lloj mënyre, e veçanërisht me rregullimin e procesit zgjedhor dhe mënyrën si kjo e formëson të ardhmen tonë në tre, katër vitet e ardhshme”, tha drejtori ekzekutiv i Fondacionit “Metamorfozis”.

Përkujtojmë që edicioni i 19-të i konferencës ndërkombëtare “E-shoqëri.mk” nga Fondacioni Metamorfozis filloi mbrëmë me “Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”Cyber ​​Shake” diskutimin për të rinjtë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?”.

Folësit, në panel diskutimi me temë “Pse të mësoj kur ka inteligjencë artificiale?” theksuan se studentët mund ta përdorin Inteligjencën Artificiale (IA) si vegël shtesë për studimet e tyre, por nuk duhet të mbështeten plotësisht në programe të tilla, pasi që para se gjithash ata duhet të mësojnë atë të cilën IA-ja e ofron të gatshme.

Përndryshe, Konferenca Ndërkombëtare “e-Shoqëria.mk” organizohet nga Fondacioni për Internet dhe Shoqëri Metamorfozis, në sinergji me projektet “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor” financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës dhe projekti “Qeverisja e mirë në sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor” i realizuar nga Qendra e Menaxhimit të Sektorit të Sigurisë së Gjenevës (DCAF) dhe Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.